Penguan mësimin në auditore, policia: Ndërhymë pas njoftimit nga Universiteti i Vlorës, 6 të shoqëruar

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Drejtoria Vendore e policisë Vlorë ka reaguar në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”. Policia sqaroi se ka larguar nga mjediset e universitetit persona që pengonin ndjekjen e leksioneve në auditore pas njoftimit nga vetë universiteti.
Reagimi i policisë vjen pasi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi solli pamje nga ndërhyrja e policisë brenda mjediseve të universitetit.
“Universiteti nuk është kazermë dhe auditorët nuk janë prona e policisë politike të Edi Ramës. Duart larg universiteteve, larg duart nga liria akademike! Frika e pushtetit nuk do ta mposhtë dot guximin e rinisë”, shkroi Bardhi.
Nga ana e saj, Policia e Vlorës sqaroi se rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali” ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor për të mos i penguar studentët të ndiqnin leksionet.
Në vijim të veprimeve, Policia bën me dije se janë shoqëruar 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi.
Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
/e.i/j.p/r.e/