E Diel, 1 Nëntor 2026

Vriten me armë zjarri dy vëllezër në Bathore, arrestohet autori

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri në Bathore, ndërsa autori i dyshuar është vënë në pranga.

Policia njoftoi se pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan menjëherë në vendngjarje.

Sipas policisë, “nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve”, njoftoi policia.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.

Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›