Balla: Në zgjedhje na diferencon programi

Ligji i dosjeve sipas deputetit Taulant Balla është një nonsens politik i cili hyn në fuqi, por është i pazbatueshëm sepse ka kundërshti kushtetuese. I ftuar në Ora News, ai u shpreh edhe për dorëheqjen e prokurorit Shtylla që sipas deputetit të PS-së ishte një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e publikut. "Nuk ka asnjë dyshim që Berisha përpiqet të gjejë shumë mënyra për të zhvendosur vëmendjen publike dhe në ditën që shqiptarët kërkonin kartat e identitetit, kryeministri zhvendos vëmendjen në ligjin e dosjeve madje. Dhe largimi i Shtyllës reflekton një përpjekje e qeverisë për të mbyllur procesin e "Gërdecit" dhe më pas edhe të Remzi Hoxhës dhe Damir Fazlliç", u shpreh ai. Procesi i kartave të identitetit, sipas deputetit socialist filloi ende pa filluar pasi u bllokua për dy ditë dhe nuk i dihet si do vazhdojë furnizimi me kuponat. "Jemi në një fazë të këtij procesi që çdo ditë është e domosdoshme, ndaj nuk ka vend për vonesë. Mendoj se kjo qeveri është e paaftë për të drejtuar këtë proces,nuk i lihet në dorë procesi Ferdinad Pones i cili mezi arrin të menaxhojë zyrën e tij", deklaroi Balla. Sipas tij Berisha duhet të kuptojë se ka një ditë kufi për kartat dhe kjo ditë duhet të jetë para datës së zgjedhjeve, para 28-të qershorit. Sa i përket zgjedhjeve të 2009-ës, deputeti deklaroi se ajo që e ndan PS-në nga partitë e tjera është fakti që kjo parti vjen në zgjedhje me një program të qartë. "Programi i PS-së është realizuar në bazë të ekpertëve dhe është lehtësisht i zbatueshëm, dhe kjo na diferencon", tha Balla. Sipas tij ajo që karakterizon mazhorëncën në ikje është se nuk diti të menaxhojë paratë publike dhe nuk investoi drejtpërdrejt në ekonomi. Lidhur me LSI-në Balla deklaroi se "U vërtetua që LSI-ja është ende me politikën e vjetër pasi bashkoi votat me PD-në dhe rrëzoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Rezultati i zgjedhjeve të 2009-ës nuk varet as nga Meta as nga Berisha, por nga dëshira e shqiptarëve për të ndryshuar vërtet Shqipërinë".