E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numerimi: Në qarkun e Shkodrës u manipuluan 12 500 vota

Votat e manipuluara kanë qenë decizive për fatin e më shumë se një mandati deputeti. Rezultati i manipulimit ka dalë nga krahasimi i pamjeve filmike me procesverbalet

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në qarkun e Shkodrës janë manipuluar rreth 12 500 vota. Ky përfundim tronditës pohohet nga grupet e posaçme të krijuara nga partitë opozitare, të cilat kanë kryer investigime mbi manipulimet dhe parregullsitë e ndodhura në procesin zgjedhor në qarkun e Shkodrës. Grupet e specializuara kanë verifikuar dhe kanë bërë krahasime midis rezultatit të sigluar në procesverbalet e qendrave të votimit dhe kasetave filmike, të cilat përmbajnë procesin e numërimit të votave. Në krahasimet e bëra ka rezultuar se vetëm në këtë qark janë manipuluar në kurriz të partive opozitare dhe në favor të Partisë Demokratike 12 500 vota. Kjo sasi votash ka qenë tepër përcaktuese për më shumë se një mandat deputeti.

Provat
Partitë opozitare, konkretisht Partia Demokristiane, ka arritur të provojë manipulimet në të paktën katër qendra votimi në qarkun e Shkodrës. Sipas verifikimeve të bëra rezulton se në këto katër qendra votimi janë manipuluar 1600 vota. Por ky fakt është vetëm “maja e Ajsbergut”. Krahasimi i pamjeve filmike që përmbajnë të regjistruar secilën prej votave me rezultatin e shpallur ka nxjerrë në pah një shifër vërtet të madhe të votave të manipuluara: rreth 12 500 të tilla. Nga këto vota janë privuar kryesisht Partia Demokristiane, LSI-ja dhe Partia Socialiste. Tashmë Partia Demokristiane disponon provat për katër qendra votimit të manipuluara, të cilat janë të mjaftueshme për të bërë denoncimin në organin e Prokurorisë. PDK-ja ka kërkuar ndjekjen penale për 12 komisionerët e KZAZ-së në qarkun e Shkodrës.

Hetimi
Pavarësisht se është depozituar kallëzimin penal për komisionerët, të shoqëruara me provat e manipulimit, Prokuroria ende nuk ka nisur procedimin penal. Organi i akuzës nuk ka shpallur fillimin e hetimit ndaj këtyre fakteve që vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve. Partitë opozitare aktualisht janë duke pritur rritjen e një presioni pozitiv nga ana e faktorit ndërkombëtar për të nxitur Prokurorinë që të hapë hetimet. Ndërkombëtarët, në raportet e tyre, theksuan se mungonin provat, të cilat vërtetonin manipulimin e procesit zgjedhor. Por dalja në pah e provave të manipulimit në qarkun e Shkodrës mund të sjellin ndryshim të qëndrimit të ndërkombëtarëve lidhur me procesin zgjedhor të 28 qershorit në Shqipëri.

Mandatet
12 500 votat që janë manipuluar në qarkun e Shkodrës kanë qenë shumë përcaktuese në shpërndarjen e mandateve në këtë qark. Ato kanë ndryshuar destinacionin e të paktën dy mandateve për subjektet zgjedhore që morën pjesë në procesin zgjedhor të 28 qershorit. Thënë më qartësisht, në rast se nuk do të kishte manipulime të votave në këtë qark, PD-ja nuk do të kishte 7 mandate dhe PS-ja 4 mandate. Një rezultat i padeformuar do të siglonte 5 mandate për PD-në, 5 për PS-në dhe 1 për Partinë Demokristiane.

PS dhe PDK: Në Shkodër na është grabitur nga një mandat

Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane ndajnë një qëndrim të përbashkët përsa u përket zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës. Si PS-ja, ashtu edhe PDK-ja, pretendojnë se u është grabitur secilës nga një mandat në këtë qark, si rezultat i manipulimeve dhe deformimeve të votave. Kjo është edhe arsyeja që PDK-ja mbështet bojkotin e socialistëve në Kuvend dhe aksionin politik të tyre për të kërkuar hapjen e kutive të votimit me anë të protestave. Madje PS dhe PDK kanë zhvilluar edhe një protestë në qarkun e Shkodrës për të kërkuar hapjen e kutive të votimit.

Gafa e Xhaferrit, PS: Ky njeri nuk bën për ministër

Partia Socialiste ka reaguar ndaj gafës së ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, i cili tha se ishte duke negociuar për rikthimin në atdhe të eshtrave të Ismail Qemalit. Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, tha se një deklaratë e tillë është shprehje e paaftësisë së ministrave të kësaj qeverie. Imeraj tha se Xhaferri nuk mund të jetë kurrsesi ministër i Kulturës së Republikës së Shqipërisë. “Deklarata e ministrit të Kulturës, z. Ferdinand Xhaferri, se po negocion për rikthimin në Shqipëri të eshtrave të Ismail Qemalit, është një tjetër tregues i shkallës së lartë të paaftësisë së kësaj qeverie dhe të ministrave të saj. Është e pafalshme për një ministër Kulture të mos ketë njohuritë më elementare mbi vendndodhjen e eshtrave të njeriut që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Është edhe më e pafalshme që një ministër i kësaj qeverie të gënjejë hapur opinionin publik duke thënë se po negocion personalisht me palën italiane një marrëveshje që nuk mund të negociohet, pasi nuk mund të ekzistojë. Deklarata e Ferdinand Xhaferrit është një tregues i qartë se drejtimi i Shqipërisë është në dorën e njerëzve plotësisht të paaftë për të drejtuar, por ekspertë për të mashtruar. Ky ministër nuk mund të jetë kurrsesi ministri i Kulturës i Republikës së Shqipërisë. Niveli kulturor i z. Xhaferri tregon se ai nuk mund ta drejtojë këtë institucion dhe nuk mund të përfaqësojë vlerat kulturore dhe historike të Shqipërisë”, - tha zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj.

29 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›