Balla: “Topalli ka shpenzuar 756 430 euro nga paratë e taksapaguesve për udhëtimet e saj”
PS: Kryeparlamentarja ka shpenzuar 7 herë më shumë se të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë marrë së bashku
Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në seancën parlamentare të ditës së hënë, të cilën maxhoranca, pas dy javësh nga përmbytja e Shkodrës, përpiqet ta darovisë politikisht si “seancë e jashtëzakonshme për përmbytjet”. Etiketimi si “e jashtëzakonshme” i seancës së ditës së hënë shihet qartë se më shumë se e tillë, është një përpjekje për të ndjellë opozitën që të hyjë në Kuvend. Fakti që PS nuk do të marrë pjesë në këtë seancë është bërë i ditur nga deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Deputeti Balla, thirrjen e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për të zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën e ka cilësuar tepër të vonuar. Sipas tij, provat e përmbytjes në Veri do të paraqiten sot në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku do të prezantohen faktet e shifrat që, sipas PS-së, tregojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare për këtë përmbytje. “Zonja Jozefina është kujtuar tepër vonë për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën për aq kohë sa, sipas Nenit 74 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, seanca e javës së tretë të janarit, pra e datës 18 janar 2010, është seanca e parë e sesionit të ri kuvendor”, - u shpreh Balla. Një argument tjetër i servirur nga Balla për ecjen me hapin e breshkës në drejtim të thirrjes së Kuvendit nga ana e maxhorancës, është fakti se “zonja Jozefina u kujtua tepër vonë për një seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën, sepse kur Buna dhe liqeni filluan të derdhen mbi Shkodër, ajo ia mbathi për turizmin politik të radhës dhe për shoping në Rue Neuve, dyqaneve më të shtrenjta të Brukselit, për blerjet e jashtëzakonshme të rrobave të reja për Vitin e Ri 2010”. Sipas tij, Topalli nuk mori mundimin që të thërriste një seancë të jashtëzakonshme plenare kur banorët e Shkodrës dhe të rrethinave të saj u bënë viktima të katastrofës nga korrupsioni qeveritar. “Zonja Jozefina nuk u kujtua për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, teksa Shkodra dhe Veriu përmbyteshin nga papërgjegjshmëria e Sali Berishës”, - tha deputeti Balla.
Akuza për Topallin
Ndërkaq, Partia Socialiste i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe udhëtimeve të kryeparlamentares jashtë vendit. Sipas Ballës, kryetarja e Parlamentit, me udhëtimet e saj turistike, i ka harxhuar buxhetit të shtetit 756 430 euro. Sipas deputetit socialist, nga përllogaritjet është konstatuar se Topalli, me udhëtimet e saj nëpër botë, ka harxhuar 2 herë më shumë se homologët e saj të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës të marrë së bashku. “Sot që zonja Jozefina po bën një politikë tallëse me fatkeqësinë e Shkodrës e me Kushtetutën, u kujtoj shkodranëve e gjithë shqiptarëve se deri më datë 13 janar 2010, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka harxhuar për udhëtime jashtë vendit 7 herë më shumë se të gjithë kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë të marrë të gjithë së bashku. Zonja Jozefina ka shpenzuar 2 herë e gjysmë më shumë edhe sesa kryetarët e parlamenteve të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës të marrë së bashku”.
Mandatet
Duke marrë shkas nga përpjekjet e krerëve të maxhorancës për të djegur mandatet e PS-së, deputeti Balla është shprehur në shenjë sfide se Partisë Socialiste jo vetëm që nuk do t’i digjen mandatet e saj, por është ajo që me qëndrimin e saj të bojkotit do të djegë mandatin e Parlamentit dhe të qeverisë “Berisha 2”. Balla i ka bërë të qartë kryeministrit Berisha dhe kryetares së Parlamentit se opozita nuk do të ndalet derisa të hapen kutitë e 28 qershorit, për të bërë transparente atë që siç e cilëson vetë PS-ja, “zbardhja e krimit elektoral të 28 qershorit”.
Katastrofa, Shkodër: Deputetë të PS-së shpërndajnë ndihma ushqimore
Deputetë të qarqeve Fier, Tiranë dhe Shkodër kanë shpërndarë ndihma ushqimore në një prej lagjeve periferike të qytetit të Shkodrës. Në Livade deputetët Ilir Beqja, Ndue Kola, Ledi Shamku, Ervin Koçi e Arben Çuko kanë shpërndarë sasinë e paketave ushqimore për banorët e kësaj lagjeje. Deputetët e Fierit kishin sjellë për banorët e komunës Bushat të Shkodrës ndihma me ushqim për bagëtitë, duke qenë se ky ishte një prej problemeve të ngritura dhe më shumë në Shtabin e Ndihmës të ngritur nga PS në këtë qark. Deputetët socialistë kanë dëgjuar banorët të shprehen për shpërndarje jokorrekte të ndihmave nga strukturat qeveritare. Një grua, nënë me 4 fëmijë, tregon: “Në këtë ditë të vështirë vijnë e thonë më ka çuar shteti me marr numrin e dritave me marr lekët. S’di gjë se çfarë duan të bëjnë me ne! Ne s’na vjen kurrkush. Partia Demokratike ka ardhur deri këtu dhe ka ik, s’na ka pru asnjë send. S’më ka ardhur asnjë ndihmë, as për fëmijët e as për mua”.
Ndërsa të rinjtë e FRESSH-it në Shkodër janë angazhuar në terren prej rreth dy javësh. Ata, në ditëlindjen e forumit të tyre nuk festuan, por vazhduan të jenë aty pranë familjeve që kanë nevojë për ndihmë.
18 Janar 2010