PS, Felaj: “Provat e katastrofës së përmbytjes, sot në Asamblenë Kombëtare”
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, i bëri të ditur dje në mënyrë të përsëritur qeverisë se çdo përpjekje e saj për të manipuluar provat e katastrofës në Shkodër është e dështuar. Sipas saj, të gjitha përpjekjet e qeverisë për të mashtruar opinionin publik se përmbytja në Shkodër dhe në rrethinat e saj është krejtësisht natyrore, PS-ja i cilëson të dështuara. “Çdo përpjekje për të manipuluar opinionin publik se vërshimi i ujit që përmbyti Veriun ishte një fatkeqësi natyrore që ndodh 1 herë në 100 vjet, është gjithashtu e dështuar”, - u shpreh deputetja Felaj, duke shtuar se “çdo përpjekje e dëshpëruar për të zhdukur provat e të gjithë atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj katastrofe, që me veprimet apo mosveprimet e tyre lejuan përmbytjen e më shumë se 11 mijë hektarëve tokë, sipërfaqe kjo 4 herë më e madhe se ajo mbi të cilën shtrihet qyteti i Tiranës, është plotësisht e dështuar”. Deputetja socialiste deklaron se shqiptarët ditën e sotme do të mësojnë të vërtetën e përmbytjes në Veri. Sipas saj, shqiptarët do të njihen me faktet, shifrat dhe evidencat që provojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare dhe të KESH-it, për përmbytjen që shkaktoi tmerrin e mijëra familjeve shkodrane dhe ankthin e një populli të tërë për fatin e fatkeqve. Felaj i ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të ndjekin sot paradite Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, për të mësuar të vërtetën e katastrofe. “I ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin të vërtetën e hidhur të katastrofës që tronditi Shqipërinë dhe la qindra familje shkodrane pa banesa, pa prodhim, pa bagëti, pa shpresë”, - përfundoi deputetja Felaj.
18 Janar 2010