E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla i drejtohet Berishës: Në rezolutën e PE nuk u miratuan amendamentet që nisët ju nga Tirana

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se opozita ka tentuar të dëmtojë imazhin e Shqipërisë në Bruksel përmes e-mail-eve nga Tirana, të cilat nuk u përfshinë në rezolutën e Parlamentit Europian.

Ai theksoi se rreth 80% e eurodeputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2030.

Balla falënderoi grupet kryesore politike europiane për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe vlerësoi punën e raportuesve Andreas Schieder dhe Andrey Kovachev.

“Rreth 80% e komisionit të jashtëm ishte pro anëtarësimit të Shqipërisë, rreth 80% e Komisionit të Jashtëm mbështet ambicien e Shqipërisë sonë të përbashkët që t’i mbyllim negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, dhe rreth 80% e Parlamentit Europian, pra, mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, kur të gjithë së bashku, të majtë e të djathtë, të shohim flamurin tonë kuqezi të valëvitet në oborrin e Parlamentit Europian, në oborrin e Këshillit apo të Komisionit Europian.

Tani të shkojmë tek të vërtetat e mëdha. U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje. Nuk janë ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente, pjesa më e madhe janë rrëzuar, të atyre amendamenteve, në dokumentin e kompromisit të punuar me shumë vlerësim nga raportuesi, zoti Schider dhe nga raportuesi nga Partia Popullore, një mik i veçantë si Andrej Kovaçev. Të dy kanë bërë një punë të shkëlqyer, Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. E vërteta është që edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me e-mail nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e Komisionit të Jashtëm dhe dokumenti sot është nga ana jonë i gjithëpranuar”, tha Balla.

Balla gjithashtu komentoi edhe debatin për artikullin e Edi Ramës në median gjermane, duke deklaruar se propozimet e kryeministrit shqiptar për reformimin e vendimmarrjes në Bashkimin Europian përputhen me planin e prezantuar nga ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.

“Tani dy gjëra që lidhen me shkrimin ose keni bërë një debat gati tre-katër javë, pesë javë tani, për një shkrim të publikuar në “Frankfurter Allgemeine Zeitunge”. Tani përfitojmë nga rasti, e para, edhe si kryetar i shumicës edhe në pozicione tjera, edhe si kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Parlamentin Europian, ta përshëndes ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul, në atë plan me gjashtë pika që ka prezantuar dje. Mendoj që edhe kolegët e Partisë Demokratike duhet ta bëjnë të njëjtën gjë. Johann Wadephul është një njohës shumë i mirë edhe i politikës së jashtme, jo më kot është ministër i Jashtëm i Republikës Federale Gjermane, por edhe si nënkryetar i grupit CDU-së për një kohë të gjatë, edhe në funksione të tjera. Mendoj që të gjashtë pikat e tij meritojnë një mbështetje, sepse në fakt kush i lexon gjashtë pikat e propozuara dje nga ministri i Jashtëm gjerman janë fiks ato që ka propozuar ose le të themi ka mbështetur edhe kryeministri Rama në atë shkrim”, u shpreh Balla.

“Pra flitet për një vendimmarrje të ndryshuar në politikën e jashtme të Bashkimit Europian, flitet për një proces gradual te zgjerimit me shkallë që ishte dhe propozimi i kryeministrit Rama, flitet për një funksionim të BE-së në një union të zgjeruar, dhe zgjerimin e votimit me shumicë të kualifikuar në Bashkimin Europian se po i përmbledh… Fiks ministri i Jashtëm gjerman dje në prezantimin e vet ka thënë të njëjtën gjë që ka thënë edhe kryeministri Rama ditë më parë dhe mendoj që të gjashtë pikat e ministrit qëndrojnë, dhe organet ose le të themi, nevoja e një reforme në sistemin vendimmarrës të Bashkimit Europian e ka dokumentin e prezantuar nga ministri Wadephul, një dokument udhërrëfyes shumë, shumë, shumë të mirë”, tha Balla.

Sa i përket raportit të rezolutës së Parlamentit Europian, Balla tha se duhet “të presim miratimin në 17-18 qershor, ne jemi të gatshëm, ua thashë, vetëm për një pikë unë ende kam diçka që mendoj që deri në 17-18 qershor dy raportuesit Schieder dhe Kovacev do duhet ta adresojnë”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›