Balla letër Nishanit: Ja zonat problematike në Librazhd

Ashtu siç kishte paralajmëruar në intervistën e mbrëmshme në RTV Ora News deputeti i Partisë Socialiste për rrethin e Librazhdit ,Taulant Balla e ka bërë fakt të kryer paraqitjen raportit me pasqyrimin e zonave problematike në këtë rreth. Përkeqësimi i situatës dhe moti i keq në vend e ka nxitur Ballën për t`iu drejtuar me një letër Ministrit të Brenmdshëm, Bujar Nishani , me anë të cilës informon për zonat problematike dhe nevojat emergjente në këto zona. Në letër shkruhet se emergjente është gjendja e një familje prej 9 anëtarësh në fshatin Sopot të komunës Stravaj, rreth të cilës nuk ka asnjë informacion si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.
“Në këtë familje ka edhe njerëz të sëmurë, nuk kemi asnjë informacion lidhur me ta. Ka nevojë për ndihma ushqimore dhe barna në fshatin Qarrishtë. Nevoja emergjente për ndihma ka dhe në komunën Qendër, Bardhaj, Skënderbe, Steblevë ,Rrajcë, Kostenjë, Lunik, Sebisht. Në këto zona vazhdojnë të bien sërish reshje dëbore”-shkruan në letër Balla.
Në intervistën e mbrëmshme me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, deputeti Balla theksoi domosdoshmërinë e ndërhyrjes së qeverisë me anë të ushtrisë në zonat e bllokuara nga dëbora, pasi sipas tij nuk mjaftojnë vetëm ndihmat në rrugë ajrore.