E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Situatë alarmante, shteti e humbi betejën me krimin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar sot se krimi në Shqipëri ka kapur shifrat alarmante. Duke folur në tryezën e PS-së për rendin publik, Rama ka theksuar se krimi është kthyer në një mankth për qytetarët ndërsa shteti e ka humbur betejën me krimin.

Ai ka theksuar se ngjarjet kriminale janë bërë tashmë të zakonshme dhe  vrasjet, shpërthimet me eksploziv, grabitjet me armë në dorë, janë kthyer në lajme që s`përbëjnë më asnjë lajm.

Ai ka bërë përgjegjës për këtë situatë shtetin, emërimet politike në institucione dhe mungesën e strategjive ndërsa ka shtuar se në kushtet e sotme sociale, papunësia rinore ka vetëm gjasa të shtohet, duke zgjeruar boshllëkun moral dhe krimi gjen vend për të shtuar forcat. “Në një vend me 1 milionë të papunë, policia shihet si zyrë pune, me njerëz me precendetë penal për fushata kriminale” tha Rama.
 

Kreu socialist vuri theksin dhe në reformën e edukimit, që lidhet me kulturën sportin, median publike dhe standardet e komunikimit publik, të cilat programi rilindja shqiptare duhet të sqarojë pikëpyetjet e shumta. Rama foli dhe për reformën radikale të shërbimit shëndetësor i cili duhet, gjithashtu të zbërthehet në programin e PS-së

“Përgjigja jonë do të jetë frontale. Vënia e Policisë së Shtetit në kushtet e duhura për të luftuar krimin është domosdoshmëri jetike, por jo gjithçka për ta fituar këtë luftë. Zbutja e sjelljes sociale nuk është mision i policisë dhe sigurisë publike, por shoqëror që qeveria e vendit do ta ndajë me komunitetet dhe mediat. Mision që fillon nga sjellja e qeverisë që sot për fat tukeq nuk e lufton por motivon me shembullin e saj, sjelljen antisociale të të rinjve” ka theksuar Rama.

Sipas tij qeveria ka goditur haptas Kushtetutën duke fshehur krimin, dhe korruptimit spektakolar ndërsa premtoi se kur të vijë në pushtet, PS do të sillet ndryshe me korrupsionin, krimin, sistemin e drejtësisë.

“Kjo është një luftë që sot po e fiton krimi, ndërsa nesër do ta fitojë shteti. Unë e di si fitohet kjo luftë. Ka vetëm një rrugë të palëkundër kundër krimit. Shqiptarëve do i themi se çfarë do bëjmë dhe prandaj është ngritur grup pune për të pasur një program të plotë për rendin e sigurinë publike" shtoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›