Balla për protestën: Pas çdo sulmi dhe dhune kundër institucioneve është Berisha

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot lidhur me protestën e zhvilluar pranë Ministrisë së Arsimit, duke akuzuar kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për përgjegjësi politike për sulmet dhe aktet e dhunës ndaj institucioneve.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balla publikoi një foto ku shihet dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi mes protestuesve.
“Student është ky? Apo dhëndri hajdut i bufit?! “Kurrë mos kini dyshime. Pas çdo sulmi dhe dhune kundër institucioneve në këto 30 vite është Sali Berisha”, shkruan Balla.
Po ashtu, duke reaguar ndaj deklaratës së Berishës i cili akuzon Policinë e Shtetit për dhunë ndaj studentëve, Balla publikoi pamjet kur policia goditet me pllaka betoni nga protestuesit.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky ‘studenti’ godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Balla.
Balla theksoi se studentët nuk janë terroristë me maska. “Nuk ka nxënës që thyejnë dritaret e shkollës”, shtoi ai.
/m.m/a.f/r.e/