E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismaili: Studentët zëri i së ardhmes, jo instrument i interesave politike

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagoi lidhur me protestën e sotme përpara Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se “studentët janë zëri i së ardhmes, jo instrument i interesave politike”.

“Të dashur studentë, mos lejoni që kauzat tuaja të përdoren nga ata që kërkojnë destabilitet për përfitime politike. Shqipëria europiane po ndërtohet edhe për ju, për një brez që meriton më shumë mundësi, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë”, theksoi Ismaili, në një postim në rrjetet sociale. Ministrja Ismaili u kërkoi studentëve të ruajnë të drejtën për të protestuar sa herë të kenë arsye, por të mos lejojnë që të përdoren.

Gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit pati akte dhune dhe dëmtime në godinën e institucionit.

Protesta e sotme u përshkallëzua në akte dhune ku disa të rinj qëlluan me kapsolla, gurë, tullumbace me ujë, bidona dhe vezë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, protestuesit kanë shkulur kangjellat rrethuese dhe pllakat e trotuarit në rrugën e Durrësit dhe kanë thyer xhamat e godinës së institucionit.

Policia shoqëroi disa të rinj protestues, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u shpërndanë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›