Balla pret deputetët gjermanë: Bundestagu gjerman, mbështetje të pakursyer integrimit të Shqipërisë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla priti sot në Kryesinë e Kuvendit një delegacion të Bundestagut gjerman, të kryesuar nga deputetët Nils Schmid dhe Christian Petry.
Gjatë takimit, Balla vlerësoi bashkëpunimin ndërparlamentar dhe rolin e rëndësishëm mbështetës që Bundestagu gjerman ka ofruar ndaj reformave të ndërmarra nga Shqipëria si ajo në drejtësi apo reforma zgjedhore.
Perspektiva evropiane e Shqipërisë në dritën edhe të publikimit të Paketës së Zgjerimit dhe Raportit të 2021 të Komisionit Evropian ishte një tjetër pikë e diskutimit me delegacionin gjerman.
“Patëm një bisedë shumë të frytshme lidhur me vijimin e bashkëpunimit që ne kemi me Bundestagun dhe me mbështetjen e pakursyer që Bundestagu gjerman i kanë ka dhënë procesit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo vizitë vjen menjëherë pas publikimit të paketës së zgjerimit nga ana e Komisionit Evropian ku u ritheksua dhe një herë se Shqipëria dhe BE duhet të mbajnë brenda Krishtlindjeve konferencën e parë ndërqeveritare, e cila i hap rrugën procesit të negocimit të marrëveshjes për anëtarësim”, u shpreh Balla në një deklaratë të përbashkët për mediet me deputetët e Bundestagut gjerman në përfundim të takimit.
Deputeti Nils Schmid u shpreh se, “Partia Socialdemokrate do të ndihmojë dhe do të bashkëpunojë për të inkurajuar vendimmarrje pozitive për Shqipërinë për integrimin Evropian. Ne përshëndesim përparimin dhe progresin që ka bërë Shqipëria në veçanti në lidhje me reformën në drejtësi, e cila ishte një kusht i BE. Jemi të gëzuar që shkojmë parlamentin e ri, pozitën dhe opozitën të cilët duhet të bashkëpunojnë dhe të krijojnë institucione të forta, sepse është shumë e rëndësishme”.
Ndërsa deputeti Christian Petry theksoi se, “jemi të kënaqur që do të vazhdojmë bashkëpunimin midis fraksioneve simotra socialiste edhe më tej. Puna e Parlamentit është shumë e rëndësishme për periudhën që do vijë, sidomos për integrimin Evropian, sepse do të miratohen ligje të cilat janë shumë të rëndësishme. Ne jemi të kënaqur që Partia Socialiste do të vazhdojë punën në këtë 4-vjeçar”.
“Në Gjermani jemi në procesin e formimit të qeverisë së re, e cila pritet të mbyllet në dhjetor dhe më pas në fillim të vitit tjetër jemi të lumtur që me anëtarët e qeverisë së re të marrim pjesë edhe më intensivisht në proceset e integrimit Evropian për Shqipërinë. Ne jemi të bindur që procesi i integrimit është i rëndësishme dhe kjo do të thotë që Shqipëria të ketë zhvilluar pjesën ekonomike dhe të ketë arritur standarde të cilat do të jenë në të mirë të shoqërisë. Ne jemi të bindur që Partia Socialiste dhe qeveria ka një rol shumë të rëndësishëm dhe me ndihmën e BE-së të ecin përpara në këtë proces. Në kemi diskutuar me z. Balla lidhur dhe me Grupin Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani dhe për rolin që ka për bashkëpunimin dhe lobimin midis dy vendeve për sipërmarrjen. Jemi të bindur që kjo iniciativë do të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në të ardhmen”, tha ai.
“Përsa i përket Gjermanisë, duhet të presim formimin e qeverisë dhe kancelarin e ri gjerman. Ato kanë marrë progres raportin e ri dhe nga pamja e parë është shumë pozitiv dhe do shqyrtohet edhe më tej deri në vendimmarrjen nga pala gjermane”, u shpreh Petry.