E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Balla thirrje SPAK: Hetoni Sali Berishën, po vonon drejtësia për kompleksin Partizani, aferën e ÇEZ dhe Gërdecin

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një komunikim për media i ka përsëritur thirrjen ndaj SPAK për hetimin e Kryetarit të Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha. Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar, Balla deklaroi se po vonon drejtësia për kompleksin Partizani, aferën e ÇEZ dhe Gërdecin.

“Një kërkesë e kahershme që lidhet me shpalljen e Sali Berishës si një person i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë nga SHBA. Unë besoj se SPAK duhet të japë një përgjigje për çështjen dhe të fillojë hetimet duke filluar edhe me kërkesën zyrtare që duhet t’u dërgojë SHBA-së. Është e papranueshme që Sali Berisha është shpallur person non grata, si i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë dhe kjo nuk shoqërohet me hetime të thella. Nuk është presion ndaj drejtësisë.

Unë po shpreh këndvështrimin tim dhe kam pasur qëndrim për këto çështje ka ekzistuar që para se SPAK të lindte. Unë kam kallëzuar për të dyja çështjet, edhe OSSH, ÇEZ dhe për kompleksin Partizani. Për kompleksin Partizani, prokurori më ka marrë deklarimin tim dhe kam besim që çështja të ecë në drejtimin e duhur”, tha Balla.

Reagimi i Ballës vjen pas deklaratës së bërë nga Kreu i SPAK, Arben Kraja në intervistën dhënë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, ku u shpreh se SPAK në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.

Duke u ndalur gjithashtu te shpallja “non grata” e Berishës nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, Kraja tha se nën hetim janë çështja e Gërdecit dhe ajo e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›