E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Blinken bisedë telefonike me Ramën: Dënojmë sulmet kibernetike të Iranit, SHBA mbështet Shqipërinë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zhvilluar ditën e djeshme (12 shtator) një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Blinken ka dënuar dy sulmet kibernetike të 9 shtatorit që goditi sistemin TIMS dhe shërbimet publike ndërsa ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri.

“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli dje me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë……më 15 korrik. Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Blinken me anë të një postimi në rrjetin social Twitter  thekson se SHBA nuk do tolerojë asnjë sulm kibernetik ndaj vendeve anëtarë të NATO.

“Bisedova me kryeministrin shqiptar Edi Rama  për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen pas sulmit kibernetik të 9 shtatorit kundër Shqipërisë. Ne nuk do të tolerojmë sulme kibernetike që synojnë Shtetet e Bashkuara apo  Aleatët tanë të NATO-s”, shkruan Blinken.

Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua punë në aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Ndërsa tashmë sistemi TIMS është rikthyer në të gjitha pikat kufitare Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjës për të dy sulmet është Irani, ndërsa për këtë arsye Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›