E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballazhi, autor i logos së 100 vjetorit të pavarësisë

Me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në mesin e 24 artistëve që kanë konkurruar me idetë e tyre për logon, e cila do ta përcjell këtë përvjetor të rëndësishëm, Komisioni ndërministror në Tiranë, të enjten mbrëma ka arritur të përzgjedhë punimin më të mirë të artistit nga Kosova, Zeni Ballazhi. Autori i logos fituese, ka thënë për Kosovapress se ndjehet i privilegjuar dhe i lumtur që ka fituar këtë çmim.

Artisti, Zeni Ballazhi i lindur në Kërçovë, të Maqedonisë, i cili jeton në Prishtinë, ka thënë se nuk e ka pritur që do të jetë fitues i logos e cila do ta përcjellë shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai ka thënë se në këtë konkurs kishte konkurruar me disa versione, por që, sipas tij, ai që është përzgjedhur nga komisioni ka qenë më i miri. Ballazhi ka thënë se dëshira dhe vullneti i madh e ka shtyrë të jetë pjesë e këtij konkursi.

“Në këtë rast, si dizajner kam bërë disa variante dhe thjesht nuk e kam pritur që do të jem fitues. Në këtë rast jam i privilegjuar dhe ndjehem mirë dhe i emocionuar sidomos në këtë kohë. Unë i përkasë një gjenerate që i kamë përjetuar edhe studimet duke përcjellë faktikisht vendet e ndryshme ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë Ballazhi.

Duke komentuar punimin e tij, Ballazhi ka thënë se logoja e përzgjedhur paraqet shqiponjën në formën e një flake jubilare, e cila i përngjan një trofeu.

“Me festimin e 100 vjetorit të pavarësisë thjeshtë me lindi kjo ide, duke e shprehur në mënyrën sa më të thjeshtë sa më bashkëkohor e cila stilizon një flakadan apo një festë e cila është e përbërë nga ngjyrat e flamurit kombëtar - Kuq e Zi. Është një simbol tepër festiv dhe tepër modern për mendimin tim. Kështu them se pavarësisht që nuk i di konkurrentet tjerë dhe nuk i di se si janë dukur punimet tjera, mirëpo besoj se me këtë logo kanë bërë një zgjidhje të duhur”, ka thënë ai.

Për më tepër, ai ka thënë se është sprovuar në shumë konkurse të ngjashme në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, ku së fundmi ishte edhe finalist në konkursin për simbolet e Republikës së Kosovës.

“Kjo mund të jetë një shtytje, e cila mu më jep mundësin të jap edhe më tepër se sa kaq që të krijoj edhe më shumë rreth dizajnit dhe artit në përgjithësi. Unë besoj dhe shpresoj se jo vetëm tek unë por edhe të tjerët kjo mund të jetë një shtytje në kuptimin profesional që jep mundësi me u marrë me këtë profesion”, ka thënë Ballazhi.

Përpos përdorimit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, logoja do të përdoret edhe në shkresa zyrtare të shteti shqiptar.

Ndryshe, Zeni Ballazhi ka lindur në Kërçovë, të Maqedoni, ka mbaron studimet ne Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pastaj më 13 qershor 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull” në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Viteve të fundit, Ballazhi punon edhe si kritik i arteve vizuale për artistë të veçantë. Është artist vizuel dhe momentalisht punon ne Galerinë e Arteve të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›