E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballë për ballë në New York

Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë do të kenë përballjen e parë direkte për Veriun në fund të këtij muaji, kur në New York të mblidhet Këshilli i Sigurimit. Në këtë seancë, do të diskutohet Raporti për Kosovën i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së, Ban Ki-Moon. Expressi e ka siguruar këtë raport. Aty nuk jepen detaje për gjendjen e fundit në Veri, pasi që raporti është përmbyllur më 15 korrik. Nga Shpend Limoni më 13 gusht 2011 në ora 09:24

Prishtina dhe Beogradi pritet të ballafaqohen edhe një herë në Kombet e Bashkuara, kur Këshilli i Sigurimit gjatë këtij muaji do të diskutojë raportin më të ri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së për Kosovën.

Aktualisht nuk është e qartë nëse seanca do të mbahet më 24 apo më 29 gusht. Zyrtarisht thuhet se mbledhja do të mbahet më 24, por burime të Expressit thonë se Serbia po përpiqet ta shtyjë mbledhjen për datën 29.

Raporti i Ban Ki Moonit, të cilin e ka siguruar gazeta Express, përshkruan situatën në vend nga data 16 prill deri më 15 korrik të këtij viti.

Pasi që raporti është përmbyllur 10 ditë para vendimit të Qeverisë së Kosovës për të dërguar njësitë speciale në veri të Kosovës, merret vesh se për këtë pritet një raportim më i detajuar në fjalën e përfaqësuesit të OKB’së në seancë, edhe pse ende nuk dihet se cili do të jetë zyrtari që do ta bëjë këtë pasi në krye të UNMIK’ut aktualisht ndodhet një ushtrues detyre.

Kur është fjala për Veriun deri më datën 15 korrik, në raport përshkruhet një gjendje relativisht e qetë, por përmenden patrullimet e Njësisë Speciale në atë pjesë të vendit - para datës 25 korrik.

“Situata e përgjithshme në Kosovën Veriore mbetet relativisht e qetë, por tensionet u ngritën në fund të periudhës raportuese. Liderët serbë të Kosovës Veriore kanë ngritur shqetësime në lidhje me vendimet e Ministrisë së Brendshme të Kosovës për zgjerimin e operacioneve në komunat veriore me shumicë serbe, përmes aktiviteteve të Njësive Operacionale Rajonale të Përkrahjes (ROSU) dhe Njësitë Rajonale të Trafikut. Tensionet janë ngritur kur ROSU’ja ka filluar patrullimet në baza ditore në hapësirat multietnike të Kosovës Veriore, si pjesë e përpjekjeve të Prishtinës për vendosjen e autoritetit atje”, thuhet në raport.

Sido që të jetë, zhvillimet më të fundit në Veri pritet të jenë një temë e nxehtë në seancën e KS të OKB.së.

Një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur për Express se Ministri Enver Hoxhaj do të marrë pjesë në seancë kur të mbahet ajo.

Vuk Jeremic ka përfaqësuar Serbinë në këtë mekanizëm, por ende nuk është e qartë nëse edhe kësaj here ky diplomat serb do të udhëtojë drejt New Yorkut.

Pala kosovare ka akuzuar zyrtarët më të lartë në Beograd për djegien e pikave kufitare në Veri dhe sponsorimin e dhunës atje.

Derisa Presidenti i Serbisë, Boris Tadic fajtorë i ka bërë palën kosovare, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell dhe Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith.

Në njërën nga pikat e raportit të OKB’së, vëmendje të veçantë i kushtohet edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çështjet teknike. Sekretari i Përgjithshëm në konkluzionet e tij në raport ka mirëpritur rezultatet e arritura.

“Jam i lumtur të raportoj që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka vazhduar në mënyrë intensive, gjatë periudhës së raportimit, duke dhënë rezultate konkrete tre muaj pas fillimit. I mirëpres marrëveshjet e arritura në fushën e lirisë së lëvizjes, regjistrit civil dhe diplomat akademike dhe kërkoj nga Beogradi dhe Prishtina që të angazhohen plotësisht në implementimin e tyre. Besoj fuqishëm se dialogu ka potencial për tejkalimin e dallimeve mes palëve dhe të zgjidhë çështjet e hapura që kanë ndikim në jetën e njerëzve”, thuhet në raport.

Në këtë kontekst, Sekretari i OKB’së ka adresuar edhe çështjen e Veriut.

“Tensionet në pjesën veriore janë për t’u brengosur. Në këtë aspekt, unë vazhdoj të theksoj fuqishëm se çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me Kosovën Veriore mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në baza të konsultimeve me të gjitha komunitetet në terren dhe jo përmes veprimeve të njëanshme. U kërkoj të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të dëmtojnë progresin e bërë në dialog dhe të shkaktojnë eskalimin e tensioneve dhe që të punojmë së bashku për të mënjanuar përkeqësimin e mëtejmë të situatës”, thuhet në raport.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›