E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Territorialja”/ Opozita bojkoton mbledhjen. Mazniku: Nevojitet arkitekturë e re e qeverisjes vendore, bashkitë të jenë financiarisht të qëndrueshme

Konstituohet Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Terrritoriale. Mbledhja e parë e komisionit është zhvilluar vetëm me anëtarët e mazhorancës, pasi opozita e ka bojkotuar, ndonëse komision u miratua me konsensus të të dy palëve.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari i këtij komisioni Arbjan Mazniku deklaroi se synimi i komisionit duhet të jetë zgjidhja e problemeve administrativo-institucional për t’iu ofruar shërbime të qenësishme qytetarëve të vendit dhe ofrimi i mekanizmave eficentë dhe efikasë për qytetarët.

“Të nisim këtë proces tani që të sigurohemi që institucionet tona të kenë të gatshme kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së.

Ky proces do kërkojë gjithë konsensusin e mundshëm. Jemi të gatshëm të bëjmë punë sa më transparente e bashkëpunuese, me të gjitha forcat politike dhe aktorët lokalë, qofshin këto bashki, qarqe, të zgjedhurit në këshilla bashkiakë, bizneset, akademinë, universitetet për të kuptuar zgjidhjen më të mirë të problematikave. Ne kemi treguar gjithë gatishmërinë për të ndërvepruar me institucionet ndërkombëtare, kongresin e autoriteteve vendore, me BE në disa programe të rëndësishme, me disa nga partnerët, dy më kryesorët qeveria zvicerane dhe suedeze. Me të gjitha institucionet e vendit që të ndërlidhim kompetencat që bashkitë kanë, e  mundësitë administrative”, deklaroi Mazniku.

Ndërsa i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në punimet e komisionit të posaçëm, Mazniku theksoi se ka ardhur koha për një arkitekturë të re të qeverisjes vendore. Ai shtoi se, bashkitë duhet të jenë financiarisht të qëndrueshme dhe t’i përgjigjen sfidave që sjell përpara procesi i integrimit europian.

“Ka ardhur koha të shohim për arkitekturë të re të qeverisjes vendore, që i përgjigjet në mënyrë të qartë sfidave që kemi përpara, jo thjesht gjeografike por më shumë funksionale, të kemi bashki që janë financiarisht të qëndrueshme.

Duhet të kemi struktura vendore të afta për t’iu përgjigjur sfidave që na sjell përpara procesi i anëtarësimit në BE”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›