Balliu në Jeruzalem, mbështet urat e komunikimit për promovimin e qytetërimit judeo-kristian
Me ftesë të Themeluesit dhe Drejtorit të Institutit të Kërkimeve Mediatike të Lindjes së Mesme, z. Yigal Carmon, publicisti Fahri Balliu zhvilloi një vizitë pune në Jeruzalem dhe Tel-Aviv, ku edhe u miratua një projekt bashkëpunimi mes Institutit MEMRI dhe gazetës “55”, i cili do të synojë mbështetjen e komunikimit mes arealit të Ballkanit Perëndimor dhe atij të Lindjes së Mesme
Publicisti dhe shkrimtari Fahri Balliu, ka zhvilluar këto ditë një vizitë në Izrael, me ftesë të themeluesit dhe drejtorit të Institutit të Kërkimeve Mediatike të Lindjes së Mesme, z. Yigal Carmon. Publicisti Balliu vizitoi qendrat më të rëndësishme mediatike e politike në Jeruzalem dhe Tel Aviv, ku ai u njoh më nga afër me zhvillimet e fundit në rajonin e Lindjes së Mesme. Gjatë takimit që publicisti Fahri Balliu zhvilloi me z. Yigal Carmon,
u diskutua për perspektivën e një bashkëpunimi të gjerë dhe afatgjatë mes gazetës “55” dhe Institutit të Kërkimeve Mediatike të Lindjes së Mesme, bashkëpunim për të cilin ka hapësira në këmbimin e informacioneve për shfaqjet e politikës, kulturës dhe religjionit në rajonet e Ballkanit Perëndimor si dhe të Lindjes së Mesme.
Gjatë takimit, Drejtori i këtij instituti, z. Yigal Carmon, e falënderoi publicistin Fahri Balliu për kontributin e tij në ndërtimin e një të përditshmeje, e cila përgjatë 15 viteve ishte shndërruar në një busull të mendimit të pavarur. Ai vlerësoi linjën editoriale të gazetës “55”, e cila përmes botimit të qindra artikujve, apo edhe dhjetëra librave nga Shtëpia Botuese me të njëjtin emër, ishte shndërruar në një faktor të rëndësishëm në promovimin e civilizimit judeo-kristian në Shqipëri, një shtet që doli i gjymtuar pas 50 viteve diktaturë ateiste.
Nga ana e tij, publicisti Balliu e vlerësoi punën e Institutit “MEMRI” në ndriçimin e mendjeve në një rajon të nxehtë si Lindja e Mesme. Duke nënvizuar rëndësinë që ka Instituti i Kërkimeve Mediatike i Lindjes së Mesme në tejçimin në Perëndim të artikujve dhe analizave politike, ideologjike dhe kulturore të këtij rajoni, publicisti Fahri Balliu, e vlerësoi lart figurën e themeluesit dhe drejtorit, z. Carmon, i cili, sipas tij, po përmbush me sukses misionin e këtij Instituti në ngritjen e një ure mbi boshllëkun komunikativ apo mbi llogoret e tëhuajësimit që ekzistojnë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Instituti i Kërkimeve Mediatike i Lindjes së Mesme (MEMRI) është një organizatë jo-fitimprurëse me qendër në Uashington dhe me degë në Londër, Romë, Jeruzalem, Bagdad, Shangai dhe Tokio, i cili shërben si një monitorues ndërkombëtar i mediave. Ky institut është themeluar në vitin 1998 nga Yigal Carmon dhe Meyrav Wurmser. MEMRI eksploron Lindjen e Mesme përmes mediave të rajonit. Misioni i tij kryesor është ngritja e një ure mbi boshllëkun gjuhësor që ekziston ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, duke ofruar përkthime në anglisht dhe në gjuhë të tjera perëndimore të materialeve arabe, persiane, urdu/pashtune dhe turke, si dhe të analizave politike, ideologjike, sociale, fetare dhe kulturore. Themeluesi dhe drejtori i saj aktual, z. Yigal Carmon ka shërbyer si kolonel në Drejtorinë e Zbulimit Ushtarak të Izraelit nga 1968-1988, për t’u bërë më pas drejtor i Administratës Civile në Bregun Perëndimor dhe këshilltar për çështjet arabe në administratën civile 1977-1982. Yigal Carmon ka shërbyer si këshilltar për kryeministrat Shamir dhe Rabin në luftën kundër militantëve palestinezë 1988-1993. Në vitin 1991 dhe 1992, Carmon ishte një nga anëtarët e lartë të delegacionit izraelit në bisedimet paqësore me Sirinë në Madrid dhe Uashington.