E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballkanasit kurrë nuk i kanë përcaktuar vijat kufitare të shteteve të tyre

Kushdo që ka ndjekur zhvillimet e përgjithshme në Kosovë e përreth saj, lirisht ka mundur të shihte e të dëgjonte se të gjithë organizmat ndërkombëtarë dhe në të gjitha instancat së bashku me vlerësimin e GJND-së mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë flasin, pranojnë, dëshmojnë dhe njohin këta kufij që ka sot Kosova. Po këta kufij kanë një histori, dhe ata ishin caktuar në një kohë të pakohë. Këta kufij që ka sot Kosova ishin vizatuar sa për një organizim territorial administrativ, por me kohë ata morën fuqinë e kufijve të një shteti të pranuar ndërkombëtarisht, siç janë sot.
Në arenën ndërkombëtare Serbia vazhdon të paraqitet herë si Serbi e herë si Jugosllavi, madje edhe si Jugosllavia e Titos. Një numër i konsiderueshëm i vendeve arabe dhe afrikane ende nuk janë njoftuar se RSFJ-ja më nuk ekziston dhe se Tito ka vdekur. Ministri serb i Punëve të Jashtme ende flet në emër të një anëtari të Lëvizjes së ashtuquajtur të të Painkuadruarve. Madje, ai për të manipuluar ndodh edhe të kryejë rite fetare dhe të falet nëpër xhami, duke u shtie si mik i myslimaneve. Politika ndoshta nuk ka edhe kufi, por mosinformimi është fatal.
Sa herë që flitet për probleme të rënda apo për krimet më monstruoze, serbët thirren në të metat e ish-Jugosllavisë, ndërsa sa herë u duhet, ata manipulojnë herë me termin Serbi e herë me atë Jugosllavi. Sa herë që zihen në gojë këto dy terme, problemet vetëm sa shumëfishohen. Ketë e dinë të gjithë zyrtarët serbë. Tani është radha për konstituimin e republikës së fundit që del nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë,pra vetë Serbisë. Republika e sotme e Serbisë në kufijtë e tashëm (pa Kosovën , të cilën Serbia e llogarit ende pjesë të saj) ende është tepër e madhe dhe në kufij jorealë, ngase Vojvodina dhe Sanxhaku së bashku me komunat shqiptare të Luginës së Preshevës do të duhej të ngriheshin në nivele më të larta të autonomisë.
Kosova si njësi politiko-territoriale nuk ka ekzistuar deri në periudhën e ndërtimit socialist të ish-Jugosllavisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo, më herët, nuk ka qenë e përcaktuar si krahinë autonome. Në një kohë kur nuk prajnë debate të ndryshme lidhur me çështje shumë të ndjeshme e të ndërlikuara, siç janë vijat kufitare, që për dikë mund të ndreqen pa asnjë problem apo lehtë e me vijë lapsi në kafene pa u lodhur fare dhe pa menduar asnjëherë për fatin e njerëzve, pjesëtarë të cilitdo etnikum qoftë, që mund të pësojnë nga  (Zoti na ruajt) ide të shumëllojshme e të papeshuara fare. Në librin “Kosova në periudhën e rindërtimit”, autor i të cilit është dr. Seit Lipa, mund të gjesh argumente e fakte dhe emrat e individëve të caktuar të kohës që ndikuan dhe ndihmuan në përcaktimin e kufijve të sotëm të Kosovës, por edhe të të gjitha republikave të tjera të ish-Jugosllavisë, si dhe për ndryshimet e shumta në planin e rregullimit territorial që do të bëheshin në vazhdimësi, pas të ashtuquajturit çlirim pas Luftës se Dytë Botërore.
Gjatë sundimit të Mbretërisë osmane Kosova njihej me emrin Vilajeti i Kosovës dhe asnjëherë nuk ishte e përcaktuar qartë me vija konkrete prej ku dhe ku shkonte shtrirja gjeografike e saj, apo të asaj forme të organizimit territorial të Perandorisë Osmane.
Mirëpo pas pushtimit serb, në vitin 1918, territori i Kosovës u fut me dhunë nën administrimin e mbretërisë SKS. Territori i Kosovës u nda në tri të ashtuquajtura banovina: e Zetës, e Vardarit dhe e Moravës. E gjithë kjo do te bëhej vetëm për ta defaktorizuar etnikumin autokton shqiptar të këtyre trevave.
Sipas regjistrimit serb të vitit 1921 Kosova kishte 425.505 banorë. Në vitin 1931 ky numër shtohet në 537.789 banorë, shumica shqiptarë. Në të gjitha rastet e regjistrimeve të popullatës asnjëherë nuk dihet se për popullatën e cilit territor administrativ flitej. Vetë përbërja etnike e këtij rajoni do të bëhej temë për debate të shumta dhe kompaktësia e popullatës përbënte problem për pushtuesin. Nëse këdo qoftë e intereson kjo fushëveprimtari që nganjëherë del me interes, duhet të lodhet apo edhe të plaket duke hulumtuar biblioteka të tëra për të parë vërtet se si ishin përcaktuar kufijtë e një territori të organizuar në një sistem të caktuar politik,të një shteti të caktuar.
As edhe një argument nuk mund të ketë Serbia e sotme se i ka pasur këto apo ato territore në një periudhë të caktuar kohore, kur flitet për një Jugosllavi. Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore caktoi kufij të rinj për të gjitha republikat dhe dy krahinat autonome, që në të vërtet dalin të ngjashme me organizimin territorial të ish-Bashkimit Sovjetik, ku ekzistonin republika autonome dhe krahina autonome. Mbretëria SKS në njëfarë mënyre njihte tri etnitete, që ishin të organizuara në sistem “banovinash”, mirëpo me formësimin e RSFJ-së,krahas tri etniteteve që njihte krijesa sllave, dalin edhe tri republika të tjera, si Mali i Zi ,Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Vojvodina si provincë autonome nuk kishte pasur asnjëherë shumicën e popullatës me përkatësi serbe, por të një etnikumi krejt tjetër. Kosova, më herët e ndarë në tri banovina,pas Luftës së Dytë Botërore  fitoi përcaktimin administrativ të  kufijve të sotëm, që për dikë duken interesantë dhe te çuditshëm, por nëse analizohet thellë del në pah se kufijtë e sotëm të Kosovës i kishin përcaktuar të deleguarit e PKJ-së , Sreten Zhujoviq (malazias) dhe Eduard Kardel (slloven). Vijat kufitare administrative, të cilat i vizatuan Zhujoviq e Kardel, për një kohë, do të kenë rëndësinë e njëjtë me kufijtë e gjashtë republikave veç e veç e të dy krahinave autonome,gjatë gjithë ekzistencës së RSFJ-së.
Garantuese e kufijve ka qenë vetëm RSFJ-ja. Kufijtë e republikave dhe të krahinave autonome me Kushtetutën e vitit 1974 nuk mund të ndryshoheshin në asnjë rast pa pëlqimin e vetë këtyre tetë subjekteve federative. Kushdo që i qaset kësaj teme, do të shohë , megjithatë, se ekspertët e kohës bënë një punë jo pak të vlefshme.
Nëse dikush shtron anën strategjike të problemit pa dije të mjaftueshme të gjendjes në terren dhe mbështetet vetëm në përbërjen etnike, do të mund të gabonte shumë. Ndoshta për dikë nuk mund të pranohen plotësisht kufijtë e sotëm, por nëse analizohet më thellë çështja, atëherë lehtë mund të konstatohet se, kur shteti ynë tashmë është pranuar edhe ndërkombëtarisht në kufijtë ekzistues, debatet lidhur me këtë temë vetëm sa shkaktojnë kokëdhembje.
Tashmë kur Evropa ka të kaluar problemin e kufijve dhe si punë e mëtejshme dhe qëllim shtrohet integrimi dhe formalizmi i kufijve deri në atë masë, saqë më nuk mund të shërbejnë përveç si vija imagjinare në letër, ndërsa në terren njerëzit do të mund të lëviznin e punonin pa asnjë problem, Ballkani edhe më tutje po vazhdon të shfaqet me botëkuptimet mesjetare të përcaktimit të vijave kufitare, që në të vërtetë kurrë nuk i ka shënuar vetë. Vijat kufitare të shteteve ballkanike përherë, si edhe sot, i kanë përcaktuar e garantuar fuqitë e mëdha pa diskutim. Sado që dikujt mund t’i shkojë mendja për shkëmbime të lehta kufitare si në ndonjë letër të pavlerë, duhet ta këtë parasysh se shkëmbimi i as edhe një milimetri nuk mund të bëhet pa garantimin e faktorit të fuqishëm ndërkombëtar. Edhe po t’u lejohej ballkanasve që vetë të përcaktonin vijat kufitare, këtë nuk do të mund ta bënin asnjëherë, as për një mijë vjet. Ballkani duhet ta harrojë periudhën osmane, kur për plot 560 vjet asnjëherë as edhe një kufi nuk ka qenë as i pranuar e as i palëvizshëm. Po edhe Serbia duhet të pranojë se kufijtë e ”mbretërisë virtuale” janë të së ashtuquajturës Mbretëri Jugosllave e jo të Republikës së Serbisë, të formësuar pas Luftës së Dytë Botërore, dhe atë jo nga faktori ndërkombëtar, por nga njerëz të caktuar të PKJ-së. Keqinterpretimi i vijave kufitare dhe opinionet e ndryshme për do farë shkëmbimesh të territoreve vetëm sa e pengojnë Ballkanin dhe popujt e këtij rajoni për t’u integruar dhe ia vazhdojnë tutje dhimbjet,jo vetëm një populli, por të gjithëve, pa përjashtim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›