E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i bisedimeve për status të Kosovës

Në mungesë të unitetit dhe vendosmërisë evropiane, SHBA-ja duhet që sërish të luajë një rol më aktiv dhe më të vendosur rreth Kosovës dhe Serbisë

Si të merremi me një qeveri, në rastin e sotëm me atë të Serbisë, e cila refuzon të pranojë realitetin, arrin disfatë, dhe insiston me propozime për të vazhduar të kundërshtojë realitetin? Qartazi shumë vështirë, sigurisht në një Bruksel të ndarë.
Serbia e zgjati agoninë e saj rreth pavarësisë së Kosovës për më shumë se një dekadë. Në dy vitet e fundit Serbia me sukses ka bllokuar një integrim të mëtutjeshëm në botë të Kosovës së pavarur duke e përfituar Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të pyesë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për një opinion këshillues rreth çështjes nëse deklarata e pavarësisë së Kosovës nga viti 2008 ishte legale. Për tmerr të Qeverisë në Beograd dhe turpërim të brendshëm politik Serbia nuk e mori përgjigjen që e dëshironte – Gjykata deklaroi se pavarësia nuk ishte e jashtëligjshme. Por, disfata duket se nuk e ka pakësuar vendosmërinë e Qeverisë serbe për të kërkuar rihapje të negociatave dhe sigurim të një marrëveshjeje politike me Kosovën, për të cilën e tërë bota dhe në fakt edhe shumica e Serbisë e dinë se është e pamundur. Kështu, Beogradi po propozon edhe një tjetër rezolutë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me të cilën bën thirrje për bisedime të reja për “status” mes dy palëve me qëllim të arritjes së marrëveshjes rreth statusit të Kosovës, derisa njëkohësisht deklaron se pavarësia e Kosovës është përgjithmonë e papranueshme për Serbinë – një qasje që njeriu mund të paramendojë se nuk i duket joshëse Prishtinës. Nëse kjo përpjekje e Serbisë shkon shumë larg, mbetet të shihet.
çuditërisht, në vend se të përdorë vendimin e GJND-së si mënyrë për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës dhe për të lëvizur më tej në stabilizimin e situatave të brishta në Bosnjë dhe në Maqedoni, vendet evropiane duket të jenë më shumë të obsesionuara me joshjen e elitës politike të Serbisë, e cila ka frikë se pranimi i realitetit do të çojë në harresë politike dhe që kurrë në njëzet vitet e kaluara nuk ka ofruar një rrugë për të akomoduar realitetin në Kosovë. Duke mos i dekurajuar bisedimet mes dy palëve që nuk mund të çojnë askund me një shpresë të kotë se dikur realiteti mund të ngulitet, dhe po ashtu duke shprehur me fjalë e vepra përkushtimin e Evropës për të sjellë Serbinë në BE – në dukje edhe përballë çështjes së Kosovës – evropianët shpresojnë të ndihmojnë qeverinë pro-evropiane të Boris Tadiqit dhe të parandalojnë elemente më radikale nga marrja e kontrollit në Beograd. Edhe më keq, përpjekja për të siguruar më shumë njohje për një Kosovë të pavarur deri më tash ka fituar pak vëmendje, dhe nëse kjo vazhdon të jetë kështu, gëzimi në Prishtinë jo vetëm se do të heshtet, por kjo edhe do të inkurajojë fantazitë serbe dhe do të thellojë pasigurinë në Kosovë dhe në rajon.
Vendosmëria serbe do të impresionojë një numër të mirë të përkrahësve të tyre, posaçërisht Rusinë dhe Kinën, të cilat, natyrisht, do të inkurajojnë negociatat dhe do të vazhdojnë të bllokojnë Kosovën nga anëtarësimi në OKB. është e llahtarshme por jo edhe befasuese të shihet një numër i komentuesve dhe disa vendeve që deklarojnë se vendimi i GJND-së do të inkurajojë lëvizjet secesioniste në vende të tjera. Sigurisht, në ndonjë vend një lëvizje për pavarësi mund edhe të shfaqet për të fituar përkrahjen e botës sikur që ka bërë Kosova, por pak ose asnjë nga vendet nuk do ta njohin një Tibet të pavarur, apo një Sinkiang, Qipro Veriore (përveç Turqisë), Kataloni, Oseti Jugore. Dhe kjo, në fund të fundit, është kërkesa e detyrueshme për të qenë i pavarur.
është me rëndësi që të mos lëshohet ky moment të rrëshqasë dhe të lejohet Serbia që edhe një herë të vendosë agjendën, e cila vazhdon paqartësinë e pandërprerë në rajon që përfshin një potencial më të madh për dhunë. BE-ja i ka telashet e veta në arritjen e një pozicioni efektiv për shkak se pesë nga 27 vendet nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo kërkon që SHBA-ja sërish të luajë një rol më aktiv dhe më të vendosur dhe jo që të mbetet e lidhur plotësisht në përpjekje për t’i dhënë formë atij që do të udhëheqë me Serbinë.

- Një përkushtim i vendosur amerikan për të siguruar më shumë njohje të Kosovës, që është i domosdoshëm për të sjellë më shumë realitetin në Beograd dhe për të inkurajuar një sjellje progresive të kosovarëve.

- Një mesazh për Serbinë që ata do të përkrahin bisedime serioze mes dy palëve nëse Serbia pajtohet për një afat kohor të shkurtër për këso bisedimesh dhe bën një propozim serioz për zgjidhjen e problemit të pjesës së banuar me serbë në Kosovën veriore, dhe pajtohet që Kosova të anëtarësohet në OKB nëse një lloj marrëveshjeje mund të arrihet. Nëse kjo dështon, SHBA-ja duhet të inkurajojë Kosovën që të mos marrë pjesë në këso bisedimesh, për të cilën gjë ata edhe ashtu nuk kanë shumë nevojë për inkurajim.

- Një mesazh për Kosovën që ia bën të qartë se Qeveria atje duhet të vazhdojë me politikën e vet të mbrojtjes së interesave të popullatës serbe.

(Morton Abramowitz, ish-zyrtar i lartë në State Departamentin amerikan dhe ambasador i SHBA-së, është partner i lartë në Fondacionin Century. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive për këtë vështrim)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›