“Ballkani Perëndimor është prioritet i lartë i Brukselit”
Deklaron kryediplomatja e BE, Ketrin Ashton
Kryediplomatja e BE-së, Ketrin Ashton tha se Ballkani Perëndimor është prioritet i lartë në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, dhe se Brukseli mbetet i përkushtuar për perspektivën evropiane të gjithë rajonit. Ajo u shpreh se integrimi i vendeve të rajonit në Union do të vazhdojë, por për më parë këto vende duhet vijojnë progresin e reformave sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian.
“Në Kosovë jam veçanërisht e interesuar për të diskutuar mbi përparimin e bërë në sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, si dhe për udhëheqjen”, tha Ashton.
Ajo e filloi turneun në Ballkan dje me vizitën në Sarajevë.
“Bosnjë e Hercegovina ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm të zhvillimit politik, prandaj dua të theksoj se është me rëndësi që Bosnja të vazhdojë rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftimin nga Brukseli.
Ashton do të takohet me udhëheqësit politikë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të misioneve BE-së në rajon.