“Procesi i numërimit ka qenë i rregullt, problemet ishin vetëm sporadike”
KQZ publikon raportin për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit
Raporti i vlerëson zgjedhjet e 28 qershorit si plotësisht transparente dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor, madje duke specifikuar edhe risitë pozitive të këtij të fundit, duke i dhënë një atribut të jashtëzakonshëm procesit të zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në raportin vjetor për vitin 2009, i cili pritet t’i kalojë për votim kuvendit, vlerëson procesin e numërimit të zgjedhje si plotësisht të rregullt, përveç ndonjë rasti sporadik, të evidentuar në disa qendra.
Në raportin e KQZ evidentohet e gjitha procedura e administrimit të zgjedhjeve nga procesi i votimit deri në nxjerrjen e rezultateve, të cilat për herë të parë janë transmetuar direkt në rrugë elektronike. “Procesi i numërimit të votave ka hasur në vështirësi në disa zona, kryesisht nga ndërprerjet e procesit në mënyrë antiligjore nga komisionerët e vend numërimeve. Numëri është vlerësuar si proces i rregullt pavarësisht problemeve të vërejtura. Gjatë gjithë procesit të votimit u shfaqën disa raste sporadike të bllokimit të procesit të votimit, si p. sh.:, në qendrën e votimit nr. 0652 në ZAZ-në nr. 34 Qarku Kukës, ku një komisioner i PS, mori vulën e KQV-së dhe u largua. Pas ndërhyrjes së KZAZ-së rifilloi procesi i votimit normalisht. Për këtë rast, KQZ-ja ka bërë kallëzim penal. Procesi i mbylljes se votimit shkoi përgjithësisht shumë mirë. Në disa raste pati vonesa gjatë procesit të plotësimit të procesverbaleve, dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndërrimit të komisionerëve dhe mosmarrjes pjesë në mënyrë të plotë të anëtarëve të KQV-ve në seancat e trajnimit që janë organizuar nga KQZ-ja”, thuhet në raportin e KQZ.
Për sa i takon nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve, vlerëson si një risi nxjerrjen rezultatin e votimit për zonën zgjedhore (qarkun), në bazë të tabelave të rezultateve të miratuara me vendim nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse.
“Për përmbushjen me sukses të kësaj detyre, KQZ-ja realizoi fillimisht kontrollin e tabelave të rezultateve të çdo ZAZ-je me tabelat origjinale të rezultateve të çdo QV të saj, dhe pastaj miratoi në seancë publike rezultatin e votimit për çdo zonë zgjedhore”, thuhet në raport.
Po kështu, theksohet se në të gjitha VNV-të, u instaluan kamera qendrore, të cilat transmetonin direkt në KQZ të gjithë procesin që zhvillohej në VNV, duke bërë publik këtë proces nëpërmjet mediave.
“Përdorimi për herë të parë në këto zgjedhje i kamerave regjistruese i dha procesit të numërimit një transparencë që nuk ishte hasur në asnjë proces zgjedhor të mëparshëm.
Duhet të theksojmë që ishte mjaft pozitive për procesin e numërimit ulja në 4 e numrit të anëtarëve të GNV dhe vendosja e kritereve për arsimin e lartë, gjë e cila bëri të mundur vendosjen e personave më të përgjegjshëm dhe të kualifikuar. Me anë të këtij sistemi u arrit të regjistrohet çdo fletë votimi dhe çdo vëzhgues i subjekteve politike apo të organizmave ndërkombëtare kishte mundësinë të ndiqte të plotë të gjithë procesin e numërimit të votave në të 66 KZAZ-të e vendit. Procesi i numërimit të votave në pjesën më të madhe të tij shkoi në përputhje me përcaktimet e kodit zgjedhor dhe udhëzimet e nxjerra nga KQZ-ja, por gjithsesi ky proces u karakterizua nga disa bllokime të pajustifikuara nga ana e komisionerëve të ZAZ-ve, por dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave”, vlerëson raporti i KQZ për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, i cili pritet të dërgohet javën e ardhshme në Parlament.
Lidhur me ankimimet e mbërritura nga subjektet politike, raporti 48 faqesh i KQZ-së përmend përciptazi kërkesat e partive por nuk jep detaje për sa i përket kërkesës për dy anëtarë të KQZ-së mbi numërimin e votave, siç e parashikon dhe kodi zgjedhor.
Më 20 shkurt, raporti pritet t’i shkojë për votim kuvendit, ndërkohë që brenda ditës së enjte ky raport do të votohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.