Bode: Pensionistët, shpërblimi këtë vit nuk do të jepet
Ministri i Financave, Ridvan Bode tha dje se në kushtet e vështira që ndodhet buxheti i shtetit, këtë vit nuk mund të shpërblejë pensionistët në fundvit. Një praktikë e aplikuar tri vitet e fundit, tashmë ka krijuar një precedent tek të moshuarit, të cilët u mësuan që një pjesë të shpenzimeve ta kompensonin me shpërblimin e qeverisë. Në fakt shpërblimi për pensionistët nuk aplikohet në asnjë vend të botës dhe institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja e patën kontestuar. Mirëpo qeveria e dha këtë shpërblim në vitin e dytë të qeverisjes së saj, për shkak të tepricës buxhetore nga grumbullimi i mirë i të ardhurave. Duke krijuar kështu një precedent, i cili do të përmbushej me sforco në dy vitet në vijim dhe në këto ditë të vështira që po kalon ekonomia e vendit nuk do të mund të përballohet. Ministria e Financave, vitin që shkoi shpërndau 25 mijë lekë për pensionist. Fatura në buxhet ishte plot 1.4 miliardë lekë, e njëjtë me fondin që u vu në dispozicion për rritjen e pensioneve. “Ne kemi deklaruar se nuk kemi mundësi për shpërblimin e pensionistëve, pasi ky është një vit i veçantë. Ne kemi rritur pagat dhe pensionet. Në vende të tjera janë ulur rrogat dhe pensionet dhe nuk bëhet fjalë për shpërblime”, - tha ministri Bode dje për mediat. Sipas dikasterit të Bodes, analiza e grupeve kryesore të shpenzimeve ka konkluduar në faktin se pas reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve në zërat e tjerë, si ata administrativë, subvencione etj., kostoja e personelit i është nënshtrohet një analize të thellë, shoqëruar me një reformë në sistemin e strukturave, organikave dhe të pagave. Afati i reformës është janari i 2012-ës, fiks koha që përkon me hyrjen në fuqi të buxhetit 2012, për shkak se tashmë gati 2 të tretat e buxhetit të shtetit përdoren për paga dhe pensione. Pas reformës në paga, Ministria e Financave pritet të marrë edhe një reformë për rishikimin e skemës së pensioneve, e cila është rekomanduar me urgjencë nga Banka Botërore.
Bode: Nuk do tejkalojmë deficitin buxhetor
Ministri i Financave tha se qeveria nuk do të ndryshojë buxhetin e këtij viti. "Ne përpiqemi që të respektojmë në maksimum parametrat e buxhetit 2011, mendojmë që të mos kemi ndryshim në përkeqësim të shifrave. Do të respektohen ato objektiva që ne tani i kemi shprehur, pra një deficit prej 3 për qind. Për të mos kaluar deficitin 3 për qind dhe për të ruajtur parametrat e borxhit në ato parametra që kemi, pa çuar në ndonjë shkurtim apo ndalim shpenzimesh të tjera", - tha dje Bode. Deficiti buxhetor këtë vit është 3.5% ose 46 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani qeveria ka konsumuar nga kjo shumë mbi 40 miliardë lekë. Mirëpo mosrealizimi i të ardhurave nga ana tjetër e zgjeron edhe më tej deficitin nëse qeveria vijon të realizojë shpenzimet sipas buxhetit të rishikuar. Me gjithë problematikën që vijon të shoqërojë zhvillimet në buxhet, ndryshimet e pritshme nuk kanë më gjasa të kalojnë në parlament. Por thjesht, buxheti i vitit 2011 mbyllet me një mosrealizim të planit të të ardhurave. Mirëpo, sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveria pritet të marrë në konsideratë një mosrealizim tjetër të shpenzimeve publike, sesa të rrisë kufirin e deficitit, pasi për shkak të krizës që po kalon eurozona ky do të ishte varianti i palejueshëm. Mirëpo burimet nga Ministria e Financave dhe ekspertë të mazhorancës në komisionin parlamentar të Ekonomisë sugjerojnë se qeverisë i duhet ta mbyllë këtë vit buxhetor me mosrealizim të ardhurash dhe shpenzimesh në të njëjtën kohë.