E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ballkani, në BE brenda vitit 2018"

Menjëherë pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë, zyrtarët e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se po afrohet perspektiva e integrimit në BE për këto vende. E para që ka dhënë sinjalin e një reagimi pozitiv dhe të shpejtë të Evropës së Bashkuar, është shefja e diplomacisë austriake, Ursula Plasnik, e cila deklaroi se i gjithë Ballkani Perëndimor duhej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian deri në vitin 2018. "Mendoj se deri në vitin 2018, çdo shtet i Ballkanit Perëndimor duhet të ketë plotësuar standardet dhe kushtet e BE-së dhe pastaj të bëhen pjesëtarë të bllokut të 27 vendeve", deklaroi Plasnik në një intervistë me gazetën austriake "Der Standard". Plasnik theksoi se nuk ishte dakord me mendimin e Partisë Popullore që ka kërkuar që gjatë dekadës së ardhshme BE-ja të mos zgjerohet. "Habitem nga deklarata e PP-së. Kjo parti e di shumë mirë rëndësinë e këtij rajoni për biznesin austriak. Fakti flet vetë", deklaroi Plasnik. Vendi i vetëm ballkanik që po negocion aktualisht për anëtarësimin në BE është Kroacia. Ministrja e Jashtme e Austrisë konfirmoi në fakt arritjet e Kroacisë në reformat e saj për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian. Ajo deklaroi se "si fqinje dhe mike" Austria do të përkrahë gjithmonë reformat e Kroacisë dhe do të bëjë ç‘është e mundur për ta përafruar kohën e integrimit në BE. Ndërkaq, ministri i Jashtëm kroat, Jandrokoviç, u tregua optimist për kohën e pranimit të tij në Bashkimin Evropian, që do të jetë viti 2001. Pikërisht përafrimi i kohës për Kroacinë, do të jetë një shtysë tjetër për vendet e tjera që janë në radhë për të hyrë në klubin e madh të Evropës së Bashkuar. Pas koleges së tyre në "Kartën e Adriatikut", e para vjen Maqedonia që aktualisht ka të siguruar statusin e kandidatit dhe është një hap përpara Shqipërisë, por duke parë problemin me Greqinë, gjithçka mund të komplikojë situatën. Shqipëria ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 12 qershor të vitit 2006 dhe është ende në fazën e vendit aspirant, por realisht është në radhë përpara Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë. Qeveria e Beogradit nga ana e saj e ka refuzuar ofertën e Brukselit, se nëse do të pranonte pavarësinë e Kosovës, do të pranohej më herët në BE, kështu që fazat serbe janë shtyrë për në kalendat greke. Kosova mbetet në radhë pa dyshim më përpara, pasi ka një favor që ka pasur një administratë ndërkombëtare, e cila ka krijuar premisat e standardeve në qeverisjen e vendit dhe krijimin e një administrate civile.

NATO

"Ftesa për t‘iu bashkangjitur NATO-s që iu dha Kroacisë dhe Shqipërisë është një votë besimi, që të vazhdoni me reformat. Nëse ndonjë rrezik kërcënon popujt tuaj, Amerika dhe NATO-ja do të qëndrojnë përkrah jush dhe askush nuk do mund t‘ju marrë lirinë", tha Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, në Zagreb. Presidenti amerikan ka mirëpritur ftesën historike të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë dhe përsëriti mbështetjen e plotë amerikane për këto vende. Duke folur para një turme në sheshin kryesor të Zagrebit, Bush shprehu shpresën se Maqedonia do t‘i bashkohet NATO-s së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe ndoshta edhe Serbinë. Bush kërkoi nga Tirana dhe Zagrebi që të vazhdojnë me reformat: "Ftesa për t‘iu bashkangjitur NATO-s që iu dha Kroacisë dhe Shqipërisë është një votë besimi, nëse ju do vazhdoni të ndërmerrni reformat e duhura dhe të bëheni kontribuues të rëndësishëm të Aleancës sonë të fuqishme. Njëherësh, nëse ndonjë rrezik kërcënon popujt tuaj, Amerika dhe NATO-ja do të qëndrojnë përkrah jush dhe askush nuk do mund t‘ju marrë lirinë", tha Bush.

"Aleanca e NATO-s është e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Ne përshëndesim vendimin e Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi që të marrin hapa të rinj drejt anëtarësimit, të quajtur "Dialogu intensiv". Ne shpresojmë se një Serbi e lirë dhe e përparuar do të gjejë vendin e duhur në familjen evropiane dhe të jetojë në paqe me fqinjët", tha Bush. Presidenti amerikan nuk la pa çmuar dhe kontributin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në luftën kundër ekstremizmit: "Së bashku, popujt e këtij rajoni po ndihmojnë që të përballemi me këtë rrezik. Sot, ushtarë nga Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia po shërbejnë me kurajë në Afganistan, duke ndihmuar popullin afgan të mundë terroristët dhe të sigurojë të ardhmen në liri. Forca nga Shqipëria dhe Maqedonia po shërbejnë në Irak, ku po ndihmojnë popullin irakian të ndërtojë një shoqëri që nuk e pranon terrorin", tha Bush.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›