Avujt e "vampirëve" të Gjanicës
Kur agimi ia zë vendin muzgut gjatë rrugës, e dielli të gjen duke kaluar Ardenicën, në një ditë të kthjellët pranvere, përmes Myzeqesë së pamat, të duhet kohë të orientohesh se cili nga malet tona i hap rrugën diellit, që rritet shpejt e shpejt e si një top i madh i zjarrtë të sheh me ndrojtje me rrezet e humbura në avuj të çuditshëm, që nuk janë as re e as mjegull. Ndërsa i afrohemi Fierit avujt bëhen me agresivë, depërtojnë në makinë, e në qenien e gjithsecilit frymëmarrja sikur ndryshon, një aromë e çuditshme e ngjashme me atë që ndihet, kur shoqëron në brazda një traktor të lashtë kinez. Nuk e di përse m‘u duk se avujt duhej të vinin nga shtrati i lumit të vdekur, e ndërsa përpiqem të bind për këtë kolegun tim dhëndër në Fier, ai më sheh me çudi e më thotë që lumit të vdekur nuk i ka mbetur gjurmë, duke më këshilluar të shoh pasqyrimin e diellit mbi ujërat e shndritshëm të Gjanicës, duke më kujtuar që është nafta që shkëlqen mbi ujë e shpërndan nga Ballshi në Fier e deri në thellësi të detit, erën e veçantë të avujve të saj.
Zoti e ka bërë Mallakastrën as të ulët e as të lartë, që njerëzit të kenë kohë të mësohen si të thuash gradualisht nga fusha e pamat e Myzeqesë, në malet larta me shpate të thepisura e luginat e lumenjve të nxituar të Labërisë. Mallakastra është e varfër në ujëra sipërfaqësore, sidomos në viset gëlqerore të saj. Ashtu si edhe relievi, edhe luginat e lumenjtë janë të vegjël e të butë, si Gjanica ashtu edhe Molishti e Luftinja. Gjanica është më e madhja luginë në Mallakastër, e nisur nga lindja në drejtim të detit në perëndim, me prurje mesatare rreth dymijë litra për sekondë, ajo herë e pret e gërryen dhe herë i përshtatet relievit të kodrave e maleve ku kalon duke u ndjerë mjaft ngushtë në veri të malit të Shëndëllisë, e mjaft lirë më pas në gropën e Aranitasit. Sa ishin pyjet që vishnin tokën e nuk ishte zbuluar nafta, ajo shkonte e pastër pothuajse deri në Fier. Tashmë kjo tregohet si një legjendë e lashtë e të shumtët nuk e besojnë. Drurët janë prerë deri tek i fundit që në vendburim. Kodrat anash janë të kuqërremta, pasojë e shpyllëzimit nga njerëzit, për t‘u kthyer në kultura bujqësore, të cilat mbilleshin deri në dhjetëvjeçarin e parafundit të shekullit të kaluar. Që në atë kohë, pas shirave të para të vjeshtës, që shpesh bien me rrebesh e mjaft të dendur nganjëherë deri 100 mm në ditë, lumi vazhdon të bëhet i kuq. Pjelloria e tyre është ulur dhe një pjesë e madhe tashmë qëndrojnë të braktisura, duke e thelluar çdo vit e më tepër gërryerjet e përroskat. Shtrati i lumit zgjerohet në fshatin Visokë, ku i ka lënë vend mbjelljes se masivit më të madh me lajthi të kultivuara, që për vite të tëra ka shërbyer si nëna e lajthishtave të Shqipërisë, duke i dhënë edhe emrin këtij kultivari. Ndotja e tokës dhe e ajrit, nga nxjerrja pa kujdes e naftës, ka bërë që tregu i jashtëm t‘ia mbyllë dyert këtij fruti të mrekullueshëm, e të kërkuar veçanërisht nga industria e çokollatave. Ca para më pak për banorët.
Pas lajthive, në të dyja anët, shpatet në vend të pemëve janë mbushur me puset e naftës, burimi i aromës së tmerrshme, që u zë frymën mbi 200 mijë banorëve, nga Ballshi në Fier. Petri, një ekspert austriak për ligjin e pyjeve, më pyet, e ndërsa përpiqem të kujtoj emrat e këtyre strukturave që mbulojnë vendin kudo në të dy anët e lumit të Gjanicës, nuk e di pse më kujtohen vampirët, e më duket sikur kanë futur thellë në zemër të tokës turirin e tyre të stërgjatë, e i nxjerrin në mënyrë makabre "gjakun" e saj. Toka për rreth tyre sikur është ndragur e përlyer deri në thellësi me ca ngjyra të çuditshme, e bimët sikur janë larguar nga ky ferr, që është vështirë të përshkruhet. Era që përhapet, jashtëqitja që nxjerrin, Gjanica që i merr e ecën e ecën. Dhe uji dhe ajri, dhe toka bashkë me qeniet mbi të, vuajnë një dënim, që duket si i përjetshëm. Me takt eksperti austriak më thotë se nëse mund të gjejmë rrugë tjetër në kthim nga Zagoria.
Edhe dy tri orë kalimthi duken të gjata. Janë dy gjenerata njerëzore që përcillen në të tilla kushte dhe e kalojnë jetën në këtë tragjedi. Si do të ishte ajri pa industrinë e naftës? Si do të ishte mjedisi nëse shteti nuk merrte vendimet e gabuara të shpyllëzimeve? E njëjta pyetje shtrohet për lumin e Gjanicës dhe cilësinë e jetës në të gjithë këtë rajon. Është ndotur e ndoshta helmuar Ajri dhe Uji. Në stadin që jeton shoqëria jonë, duket se nuk i kemi kapacitetet e duhura që ta shmangim tragjedinë e këtyre pasurive kaq të rëndësishme, që nuk i përkasin askujt dhe që përdoren nga të gjithë, qoftë edhe zogjtë apo njerëzit kalimtarë shtegtarë.
Opinioni publik është përpara një debati të gjerë për industritë që shteti kërkon që të ngrejë në zonën e Vlorës, industri që do të kenë një ndikim të gjerë, mbi tre pasuri shumë të rëndësishme të përbashkëta të vlonjatëve e shqiptarëve, peizazhin, ajrin e ujin. Në luginën e Gjanicës, zgjidhjet që aktualisht janë aplikuar, qoftë edhe për një udhëtar kalimtar shqiptar apo të huaj dëshmojnë një dështim spektakolar, si për erën e rëndë që e shoqëron (cilësia e ajrit), ashtu edhe pamja e lumit dhe peizazhit me "vampirë". Dikush shpjegon se në Vlorë teknologjia do të jetë perfekte dhe nuk do të ketë pasoja negative mbi ajrin e ujin e detit, dy pasuri që si në Vlorë ashtu edhe në Fier koincidojnë turizmin, apo qoftë edhe vetëm bujqësinë. Fermerit të Visokës shteti i ka bërë pis tokën. Për shkak të industrisë që e mbështet shteti, fermeri nuk ka të drejtë të shesë prodhimin e tij, që konsiderohet i ndotur. Por ligji që është në fuqi e ka fuqinë t‘i kërkojë këtij ndotësi që të paguajë ndotjen? Për shembull, t‘u paguajë fermerëve të dëmtuar si fidanët ashtu edhe plehun e punën, që për shembull i tërë vendi të vishet me pemë, "vampirët" të maskohen, toka rreth tyre të mbulohet me gjethe, e në Gjanicë të mos shkojë më naftë. Përpara se të thuhet Vlora nuk do të ndotet, është e arsyeshme të shihet nëse ligjet e mjedisit, apo i të drejtave të fermerit e qytetarit, i kanë mekanizmat që t‘ia paguajnë të drejtën qytetarit, e pikërisht ndotësi të detyrohet nga ligji që të paguajë dëmin? A është në gjendje ligji që të mbrojë lumin e Gjanicës nga ujërat e zeza, helmet e azotikut, termocentralit, apo nga mbetjet e naftës?
Qytetarët e Vlorës e kanë parë se si ka funksionuar ligji dhe e drejta në Ballsh, Elbasan e Fushë-Krujë. Ata po na kujtojnë të ndërtojmë një bazë ligjore, që u shërben të gjithëve. Nëse këto do të ishin parashikuar në ligj, do të mjaftonte që banorët e Visokës t‘i drejtohen gjyqit dhe industria e naftës si ndotëse duhet t‘u paguante fitimin e munguar nga mosshitja e lajthive apo të paguante për të pastruar ajrin e ujin sipas parashikimit me ligj. Edhe nëse në një ose tjetër rast fermerët do të humbitnin, shoqëria në përgjithësi do të kishte përfitime të jashtëzakonshme, po ashtu qeveria do të kishte imunitet nga presionet e lobimeve të ndryshme që kërkojnë përfitime, duke dëmtuar të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë.
I fundosur në oqeanin e ajrit të ndotur, ku e gjithë qenia është mbushur me aromën e padurueshme të këtij ajri, duke udhëtuar në anë të këtij lumi të ndotur, që i shkakton vdekjen çdo qenie të gjallë fshat pas fshati e qytet pas qyteti, në mendje me vjen shprehja e Albert Schweitzer: "Njeriu e ka humbur aftësinë të parashikojë e parandalojë. Ai do të përfundojë me shkatërrimin e tokës".
Vendet e zhvilluara, janë ndeshur dhe i kanë kapërcyer të tilla absurditete. Në SHBA, përpara se të miratohen statutet federale të kontrollit të ndotjeve, çdo qytet i madh ndërmerr hapa paraprake për të përcaktuar të drejtat pronësore të qytetarëve mbi kualitetin e ajrit.
Ashtu siç është zbatuar, industria e nxjerrjes së naftës e ka përkeqësuar jetesën dhe mjedisin në zemër të Shqipërisë. Është koha për të reflektuar jo vetëm për të rehabilituar të tilla dëme, por edhe për të dëgjuar me vëmendje paralajmërimin që bëjnë qytetarët e Vlorës.
Nga Zagoria vajtëm në Sarandë dhe kthimin e bëmë ditën tjetër nga bregu, duke u ndjerë krenar, ndërsa i shpalosnim kolegut të huaj bukuritë e rivierës shqiptare. Në qytetin e Vlorës rruga ishte bllokuar. Era e naftës akoma nuk kishte arritur në Vlorë, por qytetarët kanë vënë goma në rrugë e ndeshen me policinë. Ata kërkojnë që vendimin final për vendin e tyre ta marrin qytetarët e Vlorës. Ndoshta edhe këtë vendimmarrje nga qeverisja lokale duhet ta parashikojë ligji. Ndoshta kështu ruhemi më mirë nga "vampirët".