E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Republika e re e Maqedonisë", emri i ri në negociata

Republika e Re e Maqedonisë, sipas të gjitha gjasave, është emri për të cilin në ditët e ardhshme do të negociojnë Shkupi dhe Athina dhe i cili paraqitet si variant i mundshëm për kompromis, njoftoi gazeta greke "Katimerini". Siç transmeton agjencia bullgare e lajmeve BTA, sipas burimeve diplomatike, të cilat i citon gazeta, javën e ardhshme Departamenti i Shtetit Amerikan do ta ftojë ndërmjetësuesin Metju Nimiç që nga fillimi t‘i japë shtytje negociatave greko-maqedonase, të cilat u ndërprenë para Samitit të NATO-s. Sipas gazetës, SHBA shpejtojnë për ta zgjidhur kontestin mes Athinës dhe Shkupit për shkak se Maqedonia është e domosdoshme për Aleancën dhe për atë që për momentin në mënyrë të plotë i kënaq interesat amerikane në rajon. Shumica e madhe e qytetarëve të Greqisë e arsyetojnë veton, të vendosur nga Kryeministri Kostas Karamanlis në Samitin e NATO-s në Bukuresht kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë. Këtë e konfirmojnë rezultatet e hulumtimit sociologjik, të publikuar në gazetën "Katimerini". Madje, 95 për qind prej të anketuarve, si të drejtë e vlerësojnë hapin e Kryeministrit që të vendosë veto dhe ta ndalë Maqedoninë drejt NATO-s, për shkak të kontestit të pazgjidhur me emrin. Në një hulumtim tjetër të mendimit publik, rezultatet e të cilit po ashtu sot janë publikuar në gazetën "To Paron", 88,6 për qind të njerëzve si të drejtë e vlerësojnë vendimin e Kryeministrit grek ndaj Maqedonisë, ndërsa 96,8 për qind janë të mendimit se Karamanlis mirë ka vepruar që iu kundërshtua politikës amerikane dhe ka vendosur veto. Vetoja greke vlerësohet si sukses diplomatik i qeverisë dhe Demokracisë së Re në pushtet, rejtingu i së cilës, sipas hulumtimit, është rritur. Ndërkaq, shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, deklaroi se zgjidhja e çështjes së emrit kushtetues të Maqedonisë është në të mirë të Shkupit dhe Athinës. Bakojanis e ka lënë të hapur mundësinë që Athina të vendosë veto edhe për integrimin e Maqedonisë në Bashkim Evropian. Ajo ka dërguar ftesë deri te Shkupi për një raund të ri të negociatave për zgjidhjen sa më të shpejtë të kontestit me emrin. "Zgjidhja për problemin ekzistues është në të mirë të Greqisë dhe IRJM-së", ka deklaruar Bakojanis për të përditshmen greke "Elevteros Tipos". Një pjesë e qytetarëve maqedonas të revoltuar nga vetoja e Athinës kanë filluar t‘i bojkotojnë shërbimet dhe prodhimet e kompanive greke në vend. SMS me porosi për bojkot, u shëtitën nëpër telefonat celularë, me ç‘rast revolta vërehet edhe në terren. Gjithashtu, edhe agjencitë turistike njoftojnë se gjatë këtyre ditëve janë anuluar disa udhëtime për në Greqi."Interesi për udhëtime në Greqi gjatë këtyre ditëve është ulur", ka deklaruar Stevan Peshevski, drejtuesi i agjencisë turistike "Savana". Po ashtu, në disa vetëshërbime njoftohet se gjatë këtyre ditëve edhe pse ishte gjithçka si zakonisht, prapë se prapë janë bojkotuar prodhimet greke. Greqia është një ndër pesë investuesit më të mëdhenj në Maqedoni. Sipas të dhënave statistikore, vetëm në vitin 2006 Greqia në Maqedoni ka investuar rreth 320 milionë euro.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›