“Ballkani, rajon bashkëpunimi dhe mirëkuptimi - ndryshimet dhe koha janë të pakthyeshme”
“Pranimi i kufijve ekzistues është krucial për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi dje shefi i ekzekutivit në Romë, në takimin “Sfidat kryesore, sot, për paqen dhe sigurinë”
“I nderuar zoti President,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën që më bëtë për t’iu drejtuar kësaj audience. Sot ndjehem i nderuar dhe i lumtur. Do të doja gjithashtu të falënderoja miqtë tanë, Presidentin Giogio Napoletano, Kryeministrin Monti dhe Ministrin e Mbrojtjes, nën kujdesin e të cilëve zhvillohet takimi ndërkombëtar mbi sigurinë dhe për mikpritjen e tyre.
Këtë vit, Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Kombi, i cili 100 vjet më parë gjendej para alternativës “të ekzistojë apo të mos ekzistojë” dhe fuqitë e mëdha të asaj kohe mendonin të mos ekzistonte si nocion politik, e feston 100 vjetorin e pavarësisë së tij si vend anëtar i NATO-s. Zoti President, dita kur flamuri ynë u ngrit në Bruksel, për mua ishte dita më emocionuese dhe historike.
Këto muaj, Shqipëria kryeson Këshillin e Europës, institucionin demokratik më të vjetër të kontinentit tonë. Ne e morëm presidencën nga demokracia më e vjetër evropiane, qeveria britanike, çka ka një simbolikë domethënëse.
Sot, ne jetojmë kohë vërtet interesante. Pas rënies së perdes së hekurt, NATO tregoi vullnet të fortë për të konsoliduar një dimension të ri, mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Bosnja dhe Hercegovina është një vend i lirë dhe i bashkuar. Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur. Libia mbajti javën e kaluar zgjedhjet e para të lira dhe të drejta. Të gjithë ne ishim shumë të trishtuar, kur pamë gjakun e derdhur në Libi, por shpërblimi më i mirë për ata që luftuan dhe vdiqën për lirinë, ishin këto zgjedhje dhe padyshim, çmimi ia vlejti. Përndryshe, do të kalonin nga një trashëgimtar te tjetri, nga Gaddafi te Saif-i, nga Saif te Saifi i tretë etj... Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën fuqinë e tyre për të përmbysur dy diktatorët më të tmerrshëm, Mullah Omar dhe Sadam Hussein.
Një diktator tjetër mizor po sfidon botën e lirë dhe ky është Asad. Nga ajo që kam parë dhe kam ndjekur për çfarë po ndodh atje, nuk shoh ndryshime të mëdha me atë që ndodhi në Bosnje, në Kosovë, në Libi. Një diktator që ka pasur mundësinë për të hequr qafe trashëgiminë e të atit. Ai dështoi në përqafimin e reformave për të ndryshuar vendin e tij, përkundrazi, ndoqi të kaluarën e të atit dhe adoptoi të njëjtën politikë mizorie dhe shtypjeje. Ai përfaqësonte një minoritet në të gjitha aspektet, në popullsi, në regjim, kudo. Kështu, këta njerëz, ata kanë një thirrje ditore për t’i ndihmuar, pa vendosur një zonë ndalim-fluturimi. Gjaku i derdhur, mizoritë e regjimit, i cili është i armatosur më mirë dhe më i fuqishëm në shumë aspekte, do të jetë shumë e vështirë për opozitën, për të hequr qafe këtë Millosheviçi të ri, Sadami të ri, Gaddafi të ri dhe djali të Asad.
Shqipëria pa dyshim, në kryesimin e Këshillit të Europës, po përpiqet për të punuar me këto vende, po përpiqet të përdorë kryesimin për t’i afruar këto vende me Këshillin e Europës, një institucion i shkëlqyer, me një arkiv i jashtëzakonshëm. Këshilli i Venecias është pa dyshim think-tanku më i mirë në përgatitjen e kushtetutave nga Afrika e Jugut deri tek vendet ish komuniste. Departamente e njësi të tjera të Këshillit të Europës mund të jenë shumë të dobishme për këtë vend. Shqipëria po përpiqet të punojë në mënyrë të dyanshme, gjithashtu, nëpërmjet Këshillit të Europës. Për dekada këtyre njerëzve u është thënë se nuk janë një vend demokratik, sepse islami nuk është i pajtueshëm me demokracinë, çka ishte një dogmë e rremë. Ne jemi një vend multifetar. Ne mund t’u japim - dhe ata janë të interesuar - shembullin më të mirë se islami është plotësisht i pajtueshëm me të drejtat dhe liritë universale dhe demokracinë.
Unë besoj se pavarësisht rezultateve në Egjipt, apo në vëllazërinë myslimane, forcat liberale të Libisë, që ndihmojnë këto vende, është një fillim i madh i tyre drejt sistemit demokratik.
Rruga e tyre nuk do të jetë e lehtë, do të jetë shumë më e vështirë se sa ishte e jona. Ne erdhëm nga një errësirë e tmerrshme. Askush nuk mund ta imagjinonte se andej prej nga filluam ne - më lejoni t’ju jap një të dhënë, sipas një statistike të Bankës Botërore, tregonte se Shqipëria në vitin 1992 ishte vendi i tretë më i varfër në botë, së bashku me Angolën dhe Uganda, me 204 dollarë amerikanë të ardhura për frymë. Por ne jemi me fat, se kemi pasur modele prej të cilëve kemi mësuar, modele të cilët i kemi adaptuar. Ne rrethoheshim nga vende demokratike, nga miq, të cilët na kanë ndihmuar. Dhe mendoj se pa këtë ndihmë, pa këtë solidaritet, pa këtë mbështetje të jashtëzakonshme, rruga do të ishte shumë më e gjatë dhe shumë më e vështirë. Këto vende kanë nevojë për modele dhe ka një problem aty, se ato duhet ta gjejnë modelin në bregun tjetër të Mesdheut. Ofrimi i modeleve mund të ishte i një rëndësie të madhe.
Dhe unë besoj se ky ndryshim i madh që ka filluar këtë pranverë do të vazhdojë. Unë besoj se ata do të jenë tani gati të pranojnë dhe të përballen me atë që janë përballur gjatë shumë dekadave përpara pranverës arabe. Më pak diktatorë, më të sigurt, më pak diktatura, më e sigurt është bota. Siguria është një çështje komplekse, shumë-faktoriale, por unë besoj se rruga më e konsoliduar drejt saj, është një shoqëri e lirë, shteti ligjor dhe sistem demokratik.
Shqipëria po merr pjesë me 350 trupa në Afganistan. Ne jemi atje në të gjitha rolet, nga luftimi, OEMD. E vizitova atë vend dhe në përshtypjen time modeste, forcat ushtarake talebane nuk kanë shans për të mbizotëruar. NATO kontrollon situatën dhe marrëveshja e fundit strategjike e nënshkruar midis qeverisë amerikane dhe qeverisë afgane është një zhvillim i madh për sa i përket sigurisë dhe lirisë së këtij vendi. Kjo është shumë vendimtare. Gjithashtu konferenca e donatorëve në Tokio ishte një arritje e madhe, ku u arrit të mblidhen 60 miliardë dollarë amerikanë donacione për këtë vend. Por ka një tjetër Afganistan që është i tmerrshëm dhe shumë i vështirë. Një Afganistan me indekse njerëzore ndër më të ulëtit në botë. Më lejoni t’ju jap vetëm një shembull. Vdekshmëria amësore në vendin tim është 8 në 100 mijë lindje. Në Afganistan është 1400 për 100 mijë lindje. Ne mund të marrim një numër treguesish dhe të gjithë dëshmojnë një situate të tmerrshme. Pasi ke parë këto indekse, sheh se pasiguria është shumë e lartë atje. Kështu unë shpresoj se konferenca e donatorëve dhe paratë e mbledhura do të përdoren për ta nxjerrë këtë vend nga një situatë mesjetare në shumë rajone të tij. Angazhimi në Afganistan është angazhim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në botë. Kombet e lira duhet të hedhin vështrim tek ky vend për ta ndihmuar, madje mendoj se një koalicion global ndoshta do të ishte i vlefshëm.
Ka edhe një faktor të tretë që është droga. Atje, ju kërkoj ndjesë, por është mbretëria e drogave kudo. Kështu lufta për ta larguar këtë vend nga droga është të lufta për sigurinë e vendeve tona, të luftojmë për shëndetin e fëmijëve tanë, shoqërive tona. Kur shkon në këtë vend, gjëja e parë që të bie në sy është shkretëtira dhe droga, e mbjellë kudo.
Unë besoj se bota është shumë e sigurt sot, sesa ishte vite më parë. Dhe kjo sepse Mullah Omari, Sadami nuk janë më një kërcënim për sigurinë globale. Më parë vlerësova se ushtarët janë njerëzit që besojnë në fort në misionin e tyre dhe rëndësisë jetike të tij, edhe duke u përballur me rreziqe të shumta në punën e tyre të përditshme.
Zonja dh zotërinj,
Më lejoni të them disa fjalë për Ballkanin. Ky gadishull ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Asnjë rajon tjetër në Europë nuk ka ndryshuar më shumë se ky rajon. Nga një rajon i kohës së ndaluar, sot vendet e tij kanë sot qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Nga një rajon konfliktual, është shndërruar sot në një rajon bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
Unë mendoj se Ballkani ka arritur këtu edhe falë përpjekjeve të jashtëzakonshme pozitive të vendeve tuaja për të ndihmuar kombet tona dhe rajonin tonë. Por sërish disa problem mbeten. Unë kam bindjen se ndryshimet në rajon janë përfundimisht të pakthyeshme. Ajo që është më e rëndësishmja për të gjithë ne që jetojmë në këtë rajon është të kuptojnë e pranojmë se këto ndryshime janë të pakthyeshme dhe se koha nuk mund të kthehet mbrapa.
Pak javë më parë, komuniteti ndërkombëtar dorëzoi heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Shteti ligjor atje është forcuar dhe vendi po bëhet gjithnjë e më shumë i njohur në forumet ndërkombëtare. Brukseli negocioi një marrëveshje shumë të mirë midis Kosovës e Serbisë, e cila i hap dyert bashkëpunimit intensiv rajonal. Unë besoj se pranimi i kufijve ekzistues është kruciale për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh dhe do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre. Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen. Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata janë jashtë kontrollit.
Në Beograd ka një qeveri të re dhe pavarësisht disa deklaratave paraprake jo të shëndetshme që kanë bërë, ne shohim me interes të vazhdojmë përpjekjet tona për integrimin e mëtejshëm rajonal. Ne mbështesim plotësisht integrimin e rajonit në NATO. Shqipëria po punon fort për t’u afruar edhe më shumë me Bashkimin Europian. Shqipëria ka vendosur marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e saj.
Edhe një herë zoti President, ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të folur sot, këtu.”