E Diel, 1 Nëntor 2026

Ballkani, si një frymëzim për vetë Bashkimin Europian

25-06-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në një kohë kur kriza globale e shoqëruar me luftra të ndryshme nga Iraku në Afganistan për të përfunduar me “pranverën arabe” ka lënë shpeshherë në një plan të dytë problemet e vendeve të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera europiane, duket sikur vetë vendet themeluese të Bashkimit Europian kërkojnë të marrin frymëzimin për rrugën e tyre nga vendet ballkanike. Mund të duket si diçka paradoksale, por nuk është kështu. Në fakt, vetë ngjarjet që kanë ndodhur këto muajt e fundit në vendet e Bashkimit Europian japin një ndjenjë pasigurie tek qytetarët europianë. Nuk duhet harruar kriza e thellë ekonomike dhe politike e Portugalisë, që çoi në rrëzimin e e qeverisë së majtë, më vonë në zgjedhje dhe pastaj krijimi i një qeverie të djathtë, e cila fitoi zgjedhjet. Por ndërkaq, prej efektit domino, kriza ishte përhapur edhe në vende të tjera të Europës. Disa prej këtyre vendeve u prekën lehtë, (Spanja, Italia) ndërsa ndonjë vend tjetër u përfshi përsëri nga kriza ekonomike dhe politike (Greqia). Pikërisht në këtë të fundit filluan protestat e shumta që çuan në rënien e qeverisë e parë të Papandreut dhe krijimin e një qeverie tjetër. Është e qartë se Europa e Bashkuar ka ende ndonjë problem. Në të kundërt, shtetet e Ballkanit, ato që në të kaluarën kanë sjellë jo pak shqetësime, duket se po ecin mirë në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Si frymëzim për mos t’u ndalur në rrugën e një Bashkimi Europian me të gjitha vendeve e Europës vlen shembulli i Kroacisë që tashmë pret vetëm kohën e anëtarësimit, si frymëzim për mos t’u ndalur, vlen padyshim edhe Maqedonia me zgjedhjet e mira, të zhvilluara tani së fundmi, por sidomos rasti i Shqipërisë. Pas 21 janarit, kur u sulmuan dhunshëm institucionet shtetërore, askush nuk mund të mendonte se në Vendin e Shqiponjave do të zhvilloheshin zgjedhjet më të mira të kryera ndonjëherë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku do të numërohej çdo votë e qytetarëve në një proces edhe pse të zgjatur, por gjithsesi shumë transparent. Për ku vrapojnë kaq vrullshëm këto shtete ballkanike? Kë duan të arrijnë? Mos ndoshta me vrullin e tyre po nxisin vetë vendet e Bashkimit Europian që mos të ndalen në rrugën e një Bashkimi Europian me të gjitha vendet e Europës? Mos ndoshta vetë shtetet nismëtare të Bashkimit Europian kanë nevojë për to për të vazhduar përpara? Parë nga ky këndvështrim, sot më tepër se kurrë letra e tre presidentëve të tre grupeve kryesore të Parlamentit europian (Joseph Daul, Marin Schulz dhe Guy Verhofstadt, respektivisht President i Grupit të Partisë Popullore Europiane PPE, President i Grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve, president i grupit të Aleancës të Liberalëve dhe Demokratëve Europianë), duhet parë si një tentativë për të luftuar skepticizmin mbi Europën e Bashkuar dhe vendet që duan të bëjnë pjesë në të.  “Për t’i përballuar, - shkruajnë në letrën e tyre tre presidentët - krerët e Shteteve dhe të Qeverive duhen të dëshmojnë kurajo politike: ata duhet të dëshmojnë qartësisht bindjet e tyre europiane. Duam të ritheksojmë qartësisht se 500 milionë europianët nuk do të dalin fitues nga kjo krizë, nëse nuk forcojnë bashkëpunimin duke përfunduar me lojën e secilit për vete”. E vërteta e parë sipas tre presidentëve të grupeve kryesore të Parlamentit Europian është se: “Nuk ka euro pa integrimin ekonomik” – për të vazhduar me të vërtetën e dytë, sipas të cilës duhet të luhet me letra të hapura përndryshe çmimi i një falimentimi të bashkimit ekonomik dhe monetar do të ishte shumë i rëndë, sidomos për Gjermaninë “Bashkimi bën fuqinë”. Bashkimi Europian është arma më e mirë e mundshme, në mënyrë që Europa të shndërrohet në një realitet, që të jetë në gjendje të influencojë skenën politike botërore. Për të rregulluar tregjet financiare, për të kundërshtuar ndryshimet e klimës dhe për të ruajtur standardin tonë të jetës, një kontinent që bashkon sovranitetin dhe burimet e saj ka shumë pika të forta-një forcë superiore kundrejt çdo shteti të vetëm. Të mbështetësh këtë nuk është diçka shumë popullore. Sot duhet kurajo për të thënë se je pro europian.  (…) Ka ardhur koha të flitet përsëri mirë për Europën. Arsyet nuk mungojnë. Kemi arritur të bëjmë një projekt politik unikal në llojin e tij, që bota e ka zili dhe për të cilin duhet të jemi krenarë. Duke patur që në themel vlerat e lirisë, solidaritetit, drejtësisë sociale, shanseve të barabarta kemi krijuar hapësirën ekonomike më të fuqishme të botës. (…) Bashkimi Europian është një realitet, sigurisht akoma jo perfekt, por që meriton të ruhet. Nëse nuk do të ekzistonte, duhej shpikur. Për ta përforcuar, për të siguruar të ardhmen e euros, europianët dhe liderët e tyre duhet të kenë të njëjtën kurajo vizionare si etërit themelues të Europës së Bashkuar”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›