BE: Opozita shqiptare të mësojë të pranojë humbjet

Kreu i grupit të Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul si dhe eurodeputeti mjaft i njohur Elmar Brok e shohin me pesimizëm angazhimin e opozitës së Edi Ramës për të përmbushur reformat që kërkohen nga Brukseli. Ata janë në pritje të hapit të parë të kësaj opozite, pranimit të rezultatit zgjedhor dhe respektimit të vendimeve të gjykatës
Partia Popullore Evropiane vlerëson se i gjithë faktori politik shqiptar duhet të respektojë vendimet e dala nga gjykatat, lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit. Samiti dy ditor në Bruksel, i cili mbahej me rastin e 35 vjetorit të themelimit të grupimit më të madh politik në Parlamentin Evropian (PPE), i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe situatës politike në Shqipëri, duke u shprehur në mbështetje të institucioneve të pavarura dhe vendimeve të gjykatave.
Mjaft personalitete Evropiane, madje dhe vetë kryetari i grupit të Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul, u shpreh dje se njohja apo mos njohja e rezultati është një e drejtë politike, por vendimi i institucioneve është i padiskutueshëm.
Sipas tij, rregullat duhen respektuar ashtu sikurse vota e qytetarëve duhet trajtuar e barabartë.
“Duhen respektuar rregullat. Ka një gjykatë për rezultatin e zgjedhjeve. Nuk i takon partive politike të shprehen nëse rezultati njihet apo jo. Janë rregulla që duhet respektuar sot. Është për këtë që ka një drejtësi kudo. Kjo është demokracia e vërtetë. Demokracia nuk është: unë vendos se kush është zgjedhur dhe kush nuk është zgjedhur. Kur votuesit kanë shprehur vullnetin e tyre, kjo duhet respektuar. Siç thoshte im atë: ‘votat duhen numëruar dhe jo peshuar’”, u shpreh Daul.
Në emër të Partisë Popullore Evropian, Daul theksoi se Brukseli nuk ka se çfarë të shtojë ndryshe, përveç faktit që të urojë fituesin nëse gjykata zgjedhore shprehet se kush ka fituar.
“Unë respektoj atë që thotë Gjykata. Nëse Gjykata thotë ka fituar zotëria, atëherë
është zotëria që ka fituar. Si mund të ndodhë ndryshe? Si mund të themi diçka
ndryshe nga Brukseli. Në çdo vend ka drejtësi dhe shtet ligjor. Duhet të mësoheni me
këtë”, thekson më tej ai.
Por zërat e parlamentarëve Europianë të Partive Popullore kanë shkuar më tej me kritikat ndaj opozitës. Eurodeputeti Elmar Brok është shprehur se me qëndrimet e saj opozita nuk mund të jetë e gatshme të qeverisë vendin në të ardhmen.
“Sigurisht që opozita mund të kontestojë zgjedhjet nëse ka arsye për ta bërë këtë, por kam përshtypjen se nuk ka një arsye të vërtetë për këtë. Opozita duhet të mësojë që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe të fillojë punën normale, pasi kjo është gjithnjë mënyra më e mirë për tu përgatitur më vonë për qeverisjen dhe jo duke ndalur progresin e vendit kohë pas kohe”, deklaroi