E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, BE “Ok” ndihmës për Greqinë, por pas reformave në taksa dhe privatizime

24-06-2011 / Gazeta 55

Brukseli do miratojë fondin “shpëtues” prej 120 miliardë euro, pasi Parlamenti grek të ketë miratuar ligjin për taksat e reja dhe privatizimin Bashkimi Evropian konfirmoi përkushtimin e tij për të ndihmuar Greqinë që të mbijetojë krizën e saj të borxhit, por i bëri thirrje Parlamentit grek që të miratojë masat e rrepta të kursimit. Në një deklaratë të lëshuar në samitin në Bruksel, liderët e BE-së, thanë se Parlamenti grek duhet ta miratojë pakon e rreptë të kursimit, si një “çështje urgjente”. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, e mirëpriti vendimin.


“Është një vendim i rëndësishëm. Besoj se jemi në një kurs të qëndrueshëm. Është rrugë e vështirë për Greqinë, me shumë sakrifica, por kjo do të sjellë ekonomi të qëndrueshme dhe për këtë kemi mbështetjen e partnerëve tanë. Mendoj se kjo nuk është vetëm një dritë e gjelbër, por edhe sinjal pozitiv për të ardhmen e Greqisë”- tha Papandreu. Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, tha se Bashkimi Evropian  dëshiron të ndihmojë rritjen ekonomike në Greqi.


“Dua të përdor çdo mundësi për të stimuluar hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike në Greqi. Konsolidimi fiskal është i domosdoshëm. Reformat strukturore janë të domosdoshme, sikurse edhe programi i privatizimit.


Por, duhet ta bëjmë të qartë se ky është një kontribut për rritjen ekonomike”- theksoi Barroso. Parlamenti grek pritet të votojë në javën e ardhshme programin në lidhje me shkurtimet buxhetore dhe taksat e reja prej 28 miliardë eurosh, si dhe programin e privatizimit në vlerë prej 50 miliardë eurosh.


Nëse këto masa kalojnë, Greqia do të marrë 120 miliardë euro nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, për të menaxhuar borxhin e saj dhe për të evituar bankrotin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›