E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prijësit që na mungojnë

TIRANE - Në një koment të dy ditëve më parë në “Gazeta Shqiptare”, Z. Afrim Krasniqi ndalej me të drejtë në mesazhin e baroneshës Ashton, në të cilin vihej theksi mbi nevojën e një “lidershipi moral” në politikën e re ballkanike. Pas një analize të këtij mesazhi të shefes së diplomacisë europiane, autori ngre një pikëpyetje të drejtë kur vjen fjala për rastin e Shqipërisë: A mund të ndryshojë vetvetiu kjo klasë politike (shqiptare), a kemi ne udhëheqës politikë moralë apo me potenciale morale? Duke menduar se kjo është pikërisht pikëpyetja që po shqetëson jo vetëm një pjesë të mirë të opinionit vendas, por edhe vetë elitat e Brukselit, mendoj se mund të ndalemi pak më gjatë në këtë analizë të arsyeve të situatës aktuale të lidershipit shqiptar dhe mundësive për ndryshim të tij.
Pjesa më e madhe e opinionit publik është duke u dorëzuar përpara idesë se liderët politikë janë arsyeja e çdo të keqeje që mban peng sot jo vetëm integrimin europian, por edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Për fat të keq, edhe elitat vendase po bien gjithnjë e më tepër në një besim se ky model lidershipi autokrat jo vetëm në “punët e shtetit”, por edhe në kontrollin strukturave partiake, nuk ndryshon së tepërmi në të dyja krahët e politikës. Pra, mendimi që në zhargonin e përditshëm artikulohet se “Berisha dhe Rama janë të ngjashëm”, apo ideja se këta politikanë i meritojmë, është një formulë e njohur jo vetëm në bisedat e përditshme, por edhe në mediumet më të rëndësishme publike. Ajo që shpesh harrohet të nënvizohet është fakti se suksesi i një lidershipi nuk është rezultat i fatit apo rrethanave të rastësishme, por një rrjedhojë e sistemit të strukturave kontrolluese që ndërtohen rreth tij. Këto struktura mjaft të rëndësishme janë pushtetet e pavarura si Drejtësia, Media dhe Shoqëria Civile. Demokracitë Perëndimore, ato që i përdorim sot si busulla të orientimit tonë strategjik, kanë vërtetuar në kurrizin e tyre se garancia për një lider të mirë janë institucionet e pavarura. Politikanët synojnë të rrëshqasin drejt autokracisë dhe abuzimeve personale me pushtetin, por janë pushtetet e tjera dhe opinioni publik ata që i detyrojnë të qëndrojnë në “vathën” e tyre. Rasti më i freskët në Italinë fqinje, ku kryeministri Berluskoni ndodhet në telashe me drejtësinë, dëshmon se edhe demokraci të konsoliduara mund të prodhojnë lidershipin e gabuar, por janë institucionet ato që e ndalojnë oreksin e tij drejt abuzimit.
Duke qenë se ne nuk kemi arritur ende të kemi prokurorët dhe gjykatat e fuqishme, berluskonët shqiptarë vazhdojnë të riciklohen në pushtet dhe pse jo të vënë në dyshim edhe pavarësinë e drejtësisë dhe moralin e shoqërisë sonë. Akoma më ironike bëhet situate kur Brukseli u kërkon pikërisht këtyre liderëve politikë të ndërtojnë institucionet e pavarura, që më pas ato t’i kufizojnë ata në hullitë e një pushteti të kontrolluar. Në këtë qark vicioz, që I ngjan enigmës së pazgjidhur nëse është “veza që bën pulën apo pula vezën”, mbetet ende e pazgjidhur përgjigja se nga do të vijë ndryshimi. Pra, cila do të jetë shtysa që lidershipi ynë të drejtohet vetë në udhën e duhur të ndërtimit dhe fuqizimit të institucioneve të pavarura, duke kufizuar mundësitë e tij për autokraci dhe abuzime. Duket si një zgjidhje e pashpresë që këtë ndryshim ta presim nga vetë lidershipi ynë aktual, por kjo është rruga e vetme.
Në një situatë teorike është vota e popullit ajo që ushtron presionin ndaj lidershipit, në mënyrë që ai të ndajë pushtetin dhe të respektojë institucionet. Kur qeveria i takson qytetarët e saj, ajo ka për detyrë t’u sigurojë atyre disa përfitime duke filluar që nga shërbimet esenciale, por edhe përgjegjshmëri dhe qeverisje të mirë, duke përfunduar me lirinë dhe përfaqësimin. Kjo marrëveshje reciproke “taksim-përfaqësim”, është ajo që i jep qeverive legjitimitetin në botën moderne. Nëse do të vazhdojmë më tej këtë ide klasike të funksionimit të shtetit, nëse politika nuk i plotëson standardet e premtuara, ajo ndëshkohet me votë nga qytetarët e saj. Pra, një herë në katër vite, votuesit “lajnë hesapet” me qeverinë e tyre të papërgjegjshme duke synuar ardhjen në pushtet të opozitës, e cila të përmirësojë mirëqenien e tyre.
Këto marrëdhënie interesi, mbajnë në këmbë prej shekujsh ngrehinat shtetërore të demokracive euroatlantike. Çdo demokraci europiane e di mjaft mirë se mund të ndëshkohet nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme nga qytetarët.
Në Shqipëri zgjedhjet e fundit na dëshmuan edhe njëherë se presioni ndaj lidershipit nëpërmjet votës së qytetarëve është ende i dobët apo i manipulueshëm lehtësisht. Parti që e kishin humbur kontratën morale të besimit me zgjedhësit e tyre nuk patën rrjedhje të votës në numërimin final. Mund të jenë të shumta arsyet e kësaj sjelljeje të votuesve, por njëra prej tyre, ajo më e prekshmja, është pikërisht politizimi i administratës dhe së bashku me të edhe varësia ekonomike e zgjedhësve ndaj partive. Mjafton të dalësh nga Tirana për ta kuptuar përse-në. Në qytete ku industritë e epokës së komunizmit janë shkatërruar krejtësisht dhe mungojnë investimet private, pagatori më i madh mbetet buxheti publik. E vetmja mundësi për të pasur një vend pune në administratën qendrore apo atë vendore është militantizmi politik. Falë partisë mund të qëndrosh në një vend të ngrohtë e të sigurt për katër vite. Për shumicën e këtyre punonjësve të administratës në rrethe është e sigurt se rotacioni i pushtetit do të thotë rikthim i tyre në listat e të papunëve të qytetit. Pra, shumë prej këtyre njerëzve e kanë lidhur fatin e bukës së përditshme në familjen e tyre me fatin politik të partisë që drejton vendin apo kryetarin e bashkisë e komunës. Kjo është arsyeja që votat e këtyre qytetarëve do të vazhdojnë të shkojnë në të njëjtën drejtim edhe nëse lideri i partisë së tyre akuzohet për korrupsion e afera të pista. Përpara varfërisë dhe barkut të panxënë të fëmijëve nuk ka vend as morali partiak e as etika e votimit.
Përballë këtij realiteti, duket ende e vështirë që votuesit të bëjnë presionin e duhur ndaj politikës; që kjo e fundit të ndërtojë institucione të pavarura; në mënyrë që këto të fundit të sigurojnë balancimin e pushteteve dhe garancinë e një lidershipi moral. Pra, atë që sugjeroi pak ditë më parë baronesha Ashton. Këtë rol të zbehur të qytetarëve, po përpiqen ta zëvendësojnë prej vitesh ambasadorët dhe drejtuesit e tjerë të Brukselit. Një pozicion që ndonjëherë keqkuptohet e pse jo edhe paragjykohet qëllimisht nga politikanët tanë. Deri më sot Brukseli ka synuar të përdorë formulën e “shkopit dhe karotës” për të detyruar vendet e Lindjes të shtyjnë karrocën e tyre drejt Perëndimit. Në rastin e Shqipërisë, kjo “karotë” nuk ka funksionuar siç duhet qysh prej momentit të liberalizimit të vizave. Si politikanët ashtu edhe qytetarët shqiptarë e kanë humbur interesin për të rendur pas stimulit të Europës dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja që shefat e Brukselit ndjehen tashmë të zhgënjyer me rastin tonë. Në shumë aspekte duket sikur Europa sillet si mësuesja që përpiqet t’i vendosë me zor notën pesë një nxënësi që dëshiron vullnetshëm të mbetet në klasë. Por edhe nëse do të marrin notën katër në “lëndën” e integrimit europian, Shqipërisë i duhet dhënë një dorë në rregullimin e brendshëm të saj. Baronesha Ashton dhe kolegët e saj po flasin sot për nevojën e krijimit të modelit të liderëve të rinj në Ballkan dhe sigurisht që më tepër se kudo edhe në Shqipëri. Por deri në krijimin e institucioneve të besueshme të pavarura dhe pushteteve balancuese, edhe liderët e rinj të kërkuar mund të vazhdojnë rrugën e gabuar të paraardhësve të tyre. Meqenëse u kthyem përsëri tek situata “veza bën pulën, apo pula vezën”, pra, “lidershipi i mirë bën institucionet apo institucionet bëjnë lidershipin e mirë”, ne mund të kemi një ndihmë të vogël në zgjidhjen e kësaj enigme: Deri sa lidershipi të respektojë kontrollin e institucioneve, vakuumin e tyre duhet të vazhdojë ta mbushë interesimi i Brukselit dhe diplomacisë ndërkombëtare. Ata mbeten e vetmja shtysë e sigurt për të frenuar orekset autokrate të politikanëve si edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët të përdorin përtej interesit ekonomik të ditës votën e tyre. Duke siguruar kështu recetën e duhur për sigurimin e një lidershipi të ri jo nga mosha, por nga përgjegjësia dhe aftësia për t’u ngritur mbi interesat e momentit.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›