E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 340 mijë persona të moshave të ndryshme konsumojnë alkool

27/04/2010 Studimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë treguar se në Shqipëri:

Nga këta rreth 58 për qind pinë alkool tej masës së lejuar,

rreth 20 për qind e tyre (2% e popullsisë) rezultojnë të varur nga alkooli.

Rreth 9 për qind e morbozitetit kronik është pasojë e abuzimit të zgjatur alkoolik.

Rreth 4.8 për qind e femrave të moshave fertile kanë rezultuar konsumatore të rregullta të alkoolit, çka shton rrezikshmërinë te lindjet.

Për herë të parë në QSUT do të funksionojë edhe shërbimi i alkoologjisë

Alkooli, rreth 2 për qind e popullatës e varur

Konsumi shkakton sëmundje ceroze, hipertension, sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, kancer të gojës, faringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë.

Pranvera Kola

Përdorimi i pijeve alkoolike po gjen gjithnjë e më shumë terren në vendin tonë. Sipas vëzhgimeve të bëra nga ekspertët e shëndetësisë, rezulton se rreth 340 mijë persona të moshave të ndryshme rezultojnë të jenë përdorues pothuajse të rregullt të pijeve alkoolike. Ndërkohë që këta të fundit janë bërë pre e komplikacioneve shëndetësore në rritje, të cilat në shumë raste janë manifestuar edhe me pasoja fatale për jetën. Por ajo që rezulton edhe më shqetësuese mbetet tendenca në rritje e përdorimit të këtyre pijeve nga të rinjtë. Ekspertët e shëndetit publik tregojnë se gjatë viteve të fundit është shtuar numri i përdoruesve të alkoolit në radhët e të rinjve, aq sa mund të konsiderohet edhe si një sëmundje që po prek pasivisht këto mosha. Megjithatë, shifra e përdoruesve pohohet të jetë disa herë më e lartë sesa ajo e përmendur. Për herë të parë në vendin tonë shërbimeve shëndetësore në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" u shtohet dhe shërbimi i alkoologjisë, i cili çdo muaj do të trajtojë më shumë se 12 pacientë që janë në gjendje të rëndë. "Afërsisht te ne 2 për qind e popullsisë vuan apo bëhet vartëse e alkoolit, çka është jo vetëm një problem mjekësor, por mbi të gjitha dhe një problem social”, - ka pohuar drejtori i politikave shëndetësore Pëllumb Pipero.

Situata

Monitorimet e bëra tregojnë se rreth 58 për qind e këtyre përdoruesve konsumojnë alkool mbi normat e lejuara, ndërsa 2 për qind e popullatës shqiptare tashmë ka fituar varësinë ndaj alkoolit. Mjekët pohojnë se janë me qindra të rinj të shqiptarë që abuzojnë në alkoolpirjen, çka është reflektuar në shëndetin e tyre me dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral. Pak kohë më parë ka përfunduar studimi demografik për gjendjen shëndetësore të popullatës shqiptare, në të cilën janë reflektuar shifra të larta për sa i takon konsumit të alkoolit si te meshkujt dhe te gratë. Sipas tij, një në 3 gra, ose 32 për qind dhe 2 në 3 burra ose 65 për qind raportojnë se konsumojnë alkool. Ndërkohë personat që konsumojnë më shumë alkool në 12 muaj janë 30 për qind e grave dhe 63 për qind burrave. Gjendja rezulton të jetë më e vështirë në rrethet e mëdha dhe përkatësisht në qytetet Tiranë, Durrës,Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Sëmundjet

Pohohet se përdorimi i pijeve alkoolike është përgjegjës për rreth 9 për qind të gjithë sëmundjeve, duke shtuar rrezikun për sëmundje ceroze, hipertension, sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, kancer të gojës, faringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë. Kontingjenti i alkoolikëve u përket kryesisht shtresave shoqërore me standard të ulët jetese, të marxhinalizuara, shpesh të papunë dhe të pasiguruar.

Klinika

Në aspektin teknik dhe administrativ Shërbimi Alkoologjik, me urdhër të ministrit do të funksionojë në përbërje dhe përkatësi të Shërbimit Toksikologjik të QSUT-së, me të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në rregulloren e shërbimit spitalor në përgjithësi dhe atij toksikologjik në veçanti, duke i mundësuar sigurisht ruajtjen e identitetit, si një shërbim nozologjik specifik. Struktura e burimeve njerëzore të klinikës ka në përbërje 2 operatorë (një mjek toksikolog, që është edhe shef i shërbimit, dhe një sociologe), një kryeinfermier dhe 4 infermierë.

Trajtimi

Modalitetet trajtuese të këtij shërbimi janë plotësisht të përcaktuara në protokollin e mjekimit dhe konsistojnë në trajtimin e fenomenit të tërheqjes dhe varësisë alkoolike. Teknika trajtuese konsiston në kombinimin e vërtetuar si shumë efikas midis terapisë së sjelljes në grup (komunitetet multifamiljare, ku marrin pjesë familjarë apo tutorë të pacientëve) dhe farmakoterapisë. Terapia hospitalore ka një kohëzgjatje rreth një muaj dhe do të përbëjë vetëm fazën e parë të trajtimit të varësisë alkoolike, e cila do të pasohet nga faza e dytë: ajo e trajtimit ambulator për rreth 11 muaj.

Mbështetja

Një ndër komponentet e fazës ambulatore është frekuentimi një herë në javë nga abstinentët, mundësisht dhe familjarëve të tyre i KAA-së (klubeve të abstinentëve alkoolik).

Këto klube, të cilat do të drejtohen nga sociologë, do të përbëjnë ambiente ku psikoterapia do të ushtrohet natyrshëm dhe do t’i ndihmojë personat duke i motivuar për vazhdimin e terapisë si dhe për ndryshimin e sjelljes së tyre. Konkretisht pas një marrëveshje për këtë qëllim midis Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Emanuel, tashmë në Tiranë ka startuar aktivitetin KAA-së i parë për t’u pasuar me qendra të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›