Ballsh, 5 në pranga për vjedhje gazoili
Fier- Pesë persona, tre prej të cilëve punonjës të policisë, kanë përfunduar në pranga, nën akuzën e vjedhjes së gazoilit në uzinën e Ballshit. Sipas policisë arrestimi është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Gazoil”.
Ka qenë sektori kundër krimit financiar në drejtorinë e policisë së qarkut Fier që ka vënë në pranga shtetasit; Taulant Çela, 33-vjeç, punëtor, banues në Mallakastër; Ahmet Metohu, 44-vjeç, banues në Ballsh, me profesion polic me kontratë në KPTHN Ballsh; Genci Mahmutaj, 34-vjeç, banues në Fier, me detyrë polic; Viron Pashaj,
33-vjeç, përgjegjësturni në pikën e shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh dhe Ilir Shehaj, 46-vjeç, me detyrë polic.
“Të gjithë këta shtetas kanë kryer veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me njëri-tjterin duke shpërdoruar detyrën e ruajtjes së reparteve të prodhimit e të shitjes së lëndëve djegëse në KPTHN Ballsh”- thanë burimet e policisë.
Ata kanë arritur të mbushin rreth 50 bidonë, me kapacitet 28 litra me gazoil me qëllim vjedhjen e gazoilit. Pas arrestimit të tyre në flagrancë policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 50 bidonët plastikë të mbushur me gazoil si dhe tre automjete të tyre.
Materialet i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme hetimore. Vetëm brenda këtij viti në këtë uzinë, policia ka arrestuar edhe punonjës të tjerë të ruajtjes së objektit dhe punëtorë duke kryer vjedhje.