E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballsh, Berisha: Rama mendon vetëm për karrigen e tij, ne në rrugë të mbarë

BALLSH- Kryeministri Berisha është takuar sot edhe me mbështetësit e tij në Ballsh, ndërsa është shprehur se, “Sot në ditën e fundit të fushatës takohem me ju, me besimin e madh tek fitorja”.

Kryeministri ftoi këta banorë të votojnë për zhvillimin e mëtejshëm, ndërsa nënvizoi se duke zgjedhur PD shkojnë në rrugën e mbarë.

“Të bashkohemi për Mallakastrën e zhvilluar, kemi investuar këtu dhjetëra herë më shumë se më parë, ftoj socialistët të bashkohen me ne. Do lidhim Ballshin me autostradën, do ndërtojmë të gjitha rrugët e fshatrave, çdo shkollë e qendër shëndetësore që ka mbetur pa ndërtuar. Muajin që vjen ne do marrim statusin e vendit kandidat, do hapim negociatat, do përfitojmë qindra mijë euro investime. Zhvillimi i një vendi ka si kusht rritjen e mirëqenies, të ardhurave, ne po rrisim rrogat dhe pensionet po zgjerojmë fermat, jemi në rrugë të mbarë, le të vazhdojmë së bashku”, tha ai.

Duke iu drejtuar socialistëve të Ballshit, Berisha tha, “Ju ftoj të mendoni një herë për kryetarin tuaj që nuk e shqipëroi njëherë fjalën rritje rrogash, pensionesh për fermat tuaja, premton heqje TVSH që ta marrin tregtarët, jo ju. Ne ju premtojmë rimbursim në dorë që të lulëzoni fermat”, tha Berisha.

Teksa akuzoi Ramën, kryeministri u shpreh se, “Premtimi i vetëm i tij është se do mbyllë dyert e universiteteve duke sjellë modelin e kohës së shkuar”.

Sipas tij, Rama punon vetëm për të siguruar një karrige, ndërsa vetë ai për të vazhduar projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe evropiane.

“Sali Berisha votën tuaj nuk e do për karrigen e tij, por që të vazhdojmë projektet, të ecim në rrugën e zhvillimit, integrimit, ndërsa shoku i autobusit s’mendon asgjë përvec karriges dhe autobusit të tij”, tha ai.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Vlorë, Berisha: Votoni 44, sjell fatin e mirë, 29 është numri i tersit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›