Ballsh, gratë e pushuara tentojnë vetëflijimin
Rreth 150 gra të pushuara nga puna në uzinën e Ballëshit kanë dalë sot sërish në protestë. Rreth 15 prej tyre kanë hypur në kullat e Kokësit dhe kërcënojnë se do të digjen me benzinë nëse nuk do të vijnë për takim drejtorët e uzinës. Njëra prej tyre është shoqëruar për në spital në gjendje të rëndë pasi në kullat e kokësit ka përqindje të lartë të dyoksidit të karbonit. Policia ka ardhur në vendngjarje por ka ikur sërish pas kërcënimit të grevistëve.
Punonjësit pretendojnë se listat e pushimit nga puna nuk janë përpiluar në bazë kriteresh pasi sipas tyre ka shumë punonjës me vjetërsi të gjatë pune që kanë dalë në rrugë ashtu si dhe nga ata me shumë herë më pak vite pune që aktualisht janë në marrëdhënie pune. Shumë punonjës gjatë protestës janë shprehur madje se këtu janë parë dhe bindjet politike, të cilat kanë listuar dhe emrat e përkrahësve në borderotë e Kombinatit te Përpunimit te Thelle te Naftës, apo të kundërshtarëve në listën e reformës. Ndërsa nga ana e tjetër krerët e kompanisë që ka privatizuar rafinerinë, Rafineri Associated Anica Texas, janë shprehur se do të rimarrin në punë të gjithë punonjësit madje edhe të tjerë.
Vetëm në sektorin e naftës këtë vit si në atë të nxjerrjes që është Albpetrol ashtu dhe në atë të përpunimit ARMO ku përfshihet dhe Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh pritet të shkurtohen rreth 1700 punonjës, nga të cilët 600 do ti përkasin ARMO-s ndërsa 1100 Albpetrolit.