E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballsh, uji vazhdon të helmojë

Autoritetet nuk e kanë ndërprerë furnizimin, edhe në ditën e katërt të epidemisë

Në ditën e katërt të shfaqjes së epidemisë misterioze në Rrethin e Mallakastrës vijojnë të shtohen rastet e të helmuarve. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë ndaluar furnizimin me ujë në të gjithë qytetin, me pretekstin se duke vazhduar furnizimin realizohet shpëlarja e tubacioneve.

Rastet e reja

Edhe pse gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të martës, si në spitalin e Ballshit dhe në atë të Fierit është shënuar një rënie fluksi, mëngjesi dhe e gjithë dita e mërkurë kanë regjistruar me dhjetëra raste të reja helmimesh. Bluzat e bardha në spitalin e Ballshit thonë se këto raste nuk janë personat që vijnë për herë të dytë, por përbëjnë raste të reja.

Vetëm gjatë ditës së mërkurë, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në spitalin e Ballshit ka qenë 87, duke e çuar në afro 300 numrin e pacientëve në këtë spital që nga e diela kur u shfaq epidemia. Edhe pse autoritetet shëndetësore lokale mundohen të paraqesin një numër të ulët të personave të prekur, së bashku me ata që kanë marrë ndihmën në spitalin e Fierit, numri i pacientëve shkon në plot 500 të tillë. Simptomat janë të njëjta për të gjithë: diarre, të vjella, temperaturë dhe dobësi.

Furnizimi vazhdon

Furnizimi me ujë të pijshëm në Ballsh nuk është ndërprerë, edhe pse u deklarua se kjo do të bëhej që të hënën për të evituar rastet të reja të helmimit. Pacientët e paraqitur gjatë ditës së mërkurë në spitalin e Ballshit janë shprehur se nuk kanë pasur informacion nga autoritetet lokale për të mos e konsumuar ujin e çezmave, edhe pse ka tashmë katër ditë që epidemia është shtrirë në të gjithë rrethin. Përfaqësues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Ballsh dhe të bashkisë deklaruan mbrëmjen e së hënës se ndërprenë furnizimin me ujë për qytetin e Ballshit, ndërkohë që rastet e fundit kanë treguar të kundërtën. Madje, edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, është shprehur gjatë vizitës urgjente në Ballsh se ka urdhëruar bllokimin e ujësjellësit. Kjo deklaratë e Vasilit është përforcuar të martën nga drejtori Pëllumb Pipero. Por, në realitet uji vijon të rrjedhë në çezmat e Ballshit dhe rrethinave të tij.

Protesta

Banorët e Ballshit, të sfilitur nga epidemia që ende nuk ka një shkak zyrtar, kanë protestuar dje. Afro 200 veta janë mbledhur fillimisht pranë spitalit të qytetit, ku edhe në ditën e katërt numri i të prekurve që kërkonin ndihmë mjekësore ka qenë i madh. Protestuesit kanë akuzuar për papërgjegjshmëri autoritetet vendore e qendrore dhe kanë kërkuar gjetje të shpejtë të shkaqeve të kësaj epidemie. Banorët thanë se uji vijon të kërcënojë familjet e tyre. “Na vjen akoma uji në shtëpi. Nuk e duam nëse ai është shkaku i helmimit”, tha Lumturi çela. “Na e helmuan depon, se nuk ka kuptim tjetër. Po vjen normalisht uji dhe ne e kemi tmerr tani kur e shohim”, thotë Pëllumb Sulaj. Grupi i protestuesve, pas spitalit është drejtuar për në bashki, duke përshkruar qendrën e qytetit. Përpara bashkisë protestuesit kanë kërkuar analiza të shpejta dhe dënim të përgjegjësve për këtë situatë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›