Largohet drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve
Lëvizje “kokash” në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me motivacion nxitjen e rritjes së të ardhurave. Pas doganave, tatimet do të kenë një drejtues të ri, Gëzim Spahija, i njohur në fushën e organeve të fiskut, por edhe zyrtar i lartë i administratës publike. Spahija do të zëvendësojë drejtorin aktual, Artur Papajani, i cili emërohet në tjetër detyrë. Lajmi u përhap dje paradite dhe u konfirmua pas mbledhjes së qeverisë. Papajani e mbajti detyrën e drejtorit të Përgjithshëm pak më shumë se një vit dhe vinte nga sektori i TVSH-së, specialist për 16 vjet. Ministria e Financave nuk ka dalë me një njoftim zyrtar rreth lëvizjeve në Tatimeve, por mësohet se shkaku i lëvizjeve lidhet me një tentativë për të shtuar të ardhurat, të cilat kishin pësuar tkurrje, për shkak edhe të krizës ekonomike. “Po, është konfirmuar largimi im. Sa i takon detyrës së re, do të drejtoj avokatin e tatimpaguesve, strukturë e miratuar së fundmi nga qeveria”, tha për “Shqip” Papajani. Gëzim Spahija, deri dje ka mbuluar postin e drejtorit të degës së Doganës në Vlorë, dhe ish-shef kabineti i KESH-it, kur drejtohej nga Andi Beli. Spahija, shkodran, 33 vjeç, e ka mbajtur postin e kryedoganierit të Vlorës për shtatë muaj, si dhe emri i tij u lakua si drejtor i Përgjithshëm, kur Përparim Dervishi u shkarkua, vendin e të cilit e zuri Endri Pema. Zyrtarisht, nga tatimet nuk ka asnjë komunikatë, por burime të sigurta e konfirmojnë largimin e Papajanit. Ish-drejtori i Përgjithshëm, Artur Papajani, ishte ndër të paktët zyrtarë që vinin nga fusha specifike fiskale dhe e njihte mirë sistemin tatimor. Gjatë kohës së drejtimit të tatimeve, u vunë në zbatim një sërë projektesh, si pagesa e taksave online, kasat fiskale, deklarimet tatimore me internet, etj. Sa u takon arkëtimeve, viti 2009 ka rezultuar i vështirë, me mangësi në arkëtime, si shkak i krizës ekonomike.
#