Diplomacia: Shqipërisë i duhet paqja mes armiqve

Negociatat e faktorit ndërkombëtar me aktorët kyç të politikës shqiptare kanë hyrë në fazën intensive, madje duke demonstruar publikisht një aksion që ka filluar menjëherë pas takimit të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së. Një diplomat shumë i rëndësishëm i Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi dje se “bisedimet po zhvillohen vazhdimisht, edhe pse ato nuk po bëhen në publik. Do të ishte shumë i rëndësishëm rezultati që do të dalë nga këto negociata”. Dje është zhvilluar një akt i rëndësishëm i këtij aksioni diplomatik, ku ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers zhvilloi një bisedë të gjatë me njërin prej protagonistëve të politikës shqiptare, liderin e opozitës, Edi Rama. Bisedimet janë zhvilluar në ambientet e një hoteli të rëndësishëm të kryeqytetit, ku është zhvilluar dje aktiviteti me rastin e Ditës së Europës. Pritja është organizuar nga kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, në të cilën kanë marrë pjesë krerët kryesorë të shtetit shqiptar, drejtues të partive politike dhe diplomatët më të rëndësishëm të akredituar. Në këtë atmosferë, Edi Rama, i cili nuk ka qëndruar në pritje kur kanë ardhur Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi një takim të veçantë me keyediplomatin e Uashingtonit në Tiranë. Gjithçka është dukur si një skemë perfekte, ku secili e dinte kohën dhe vendin ku do të paraqitej dhe qëndronte në festën e Europës. Lideri i opozitës, Edi Rama, pas përshëndetjeve me mikpritësit e festës është ulur dhe ka zhvilluar një takim të gjatë relativisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, John Withers. Rama dhe Withers janë përshëndetur në pritje, ku në prani të kamerave kanë zhvilluar një dialog të shkurtër, ku në fillim Withers i tha se “më kishe kërkuar në telefon”. Ndërsa kreu i PS-së iu përgjigj “Po” dhe më pas e ftoi të zhvendoseshin në një ambient më të qetë, larg mediave. Për më se 25 minuta, kreu socialist dhe diplomati amerikan kanë biseduar privatisht, një bisedë që është zhvilluar “kokë më kokë”, por që ishte tejet intensive. Për këtë takim nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare, si nga ana e PS-së, ashtu dhe nga ambasada amerikane. Burime pranë opozitës theksuan se ky takim ka pasur si objekt të gjithë mundësitë që opozita i jep mazhorancës për arritjen e një kompromisi në bazë të një marrëveshje të negociuar. Megjithatë mësohet se nga kryediplomati i SHBA-së në Shqipëri është dhënë këshilla e shmangies së konfrontimeve të rënda. Ndërkaq, përveç ambasadorit Withers, në fushë është shumë aktiv edhe ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, i cili përfaqëson Presidencën e Bashkimit Europian. Diplomati i Madridit mësohet se ka zhvilluar takime të shpeshta me drejtues të qeverisë, por edhe opozitës. Burime diplomatike theksojnë se ka pasur kontakte intensive me Kryeministrin Berisha dhe zëvendëskryeministrin Meta. “Bisedimet po zhvillohen intensivisht edhe pse jo në publik”, theksoi një diplomat. Po dje, dyshja drejtuese e BE-së në Shqipëri, ambasadorët Montobio dhe Lohan janë takuar me kreun e shtetit, Bamir Topi, Kryeministrin Berisha dhe kreun e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ka rënë në sy përshëndetja mes Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi, të cilët kanë shtrënguar duart, por gjithsesi nuk kanë zhvilluar një takim të ngrohtë. Gjithsesi kuadri institucional është respektuar kur tre krerët e shtetit kanë qëndruar për një kohë së bashku. Situata politike në vend mësohet se ka qenë pjesë e diskutimeve të shkurtra në kohën e qëndrimit në pritjen e festës së Europës. Ka qenë mjaft kurioz protokolli i pashkruar i atmosferës së djeshme, ku Rama ka ardhur në kohën kur nuk kishte mbërritur rivali i tij politik, Sali Berisha. Ndërkohë që Kryeministri ka mbërritur pikërisht sapo lideri i opozitës ka lënë ambientin ku zhvillohej pritja me rastin e “Ditës së Europës”. Ajo që ka ndodhur dje, duket se nuk ka përbërë një negociatë të mirëfilltë bisedimesh, pasi ato normalisht zhvillohen në ambiente të veçanta larg publikut. Por duke shfaqur një akt të diplomacisë publike, atmosfera e djeshme ka qenë një mesazh i rëndësishëm politik që, edhe pse ka një konflikt të ashpër politik në vend, diplomacia apo negociatat nuk kanë reshtur për asnjë çast.
#