Balluku: Niveli i humbjeve teknike në rrjetin elektrik zbriti në 17%

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se niveli i humbjeve teknike në rrjetin elektrik në fund të vitit 2024 zbriti në 17%, ndërsa synimi është të shkojnë në 16%.
Gjatë inspektimit të punimeve për riparimin dhe fuqizimin e nënstacionit elektrik Tirana 1, pranë Zogut të Zi, Balluku bëri të ditur se fuqizimi, riparimi dhe ndërtimi i një sërë nënstacionesh dhe linjash elektrike shërben jo vetëm për përmirësimin e furnizimit me energji, por edhe për uljen e nivelit të humbjeve teknike.
“Viti 2024 shënoi një rekord sa i përket uljeve të humbjeve teknike, të cilat arritën nivelin e 17% dhe kemi vënë një objektiv t’i ulim në 16% vitin që vjen”, tha ajo.
Balluku vuri në dukje se pavarësisht tërmetit, pandemisë dhe një ngrirjeje që iu bë për momentin në atë kohë uljes së humbjeve teknike, prej tre vitesh po ecet shumë shpejt, për të shkuar në nivele që janë parashikuar në Strategjinë Kombëtare për Qëndrueshmërinë energjetike në vend.
“Të gjitha nënstacionet që po fuqizohen, riparohen apo ndërtohen të reja, kontribuojnë pa dyshim në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit të shpërndarjes së energjisë, por nga ana tjetër mbështesin qëllimin për uljen e humbjeve teknike, pasi ulja e humbjeve teknike është edhe kursim parash, të cilat shkojnë më pas në uljen e çmimit, siç kemi bërë edhe duke nisur nga 1 shkurti”, deklaroi Balluku.
Ajo solli në vëmendje se nga fillimi i këtij muaji çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u ul me 10,5% për të gjithë ata që do të konsumojnë deri në 700 kilovat-orë.
/r.e/