Balluku inspekton nënstacionin ‘Tirana 2’: Rritet siguria dhe plani për linjën nënujore me Italinë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila është njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka inspektuar këtë të enjte, më 6 nëntor, investimet e realizuara në nënstacionin elektrik ‘Tirana 2’ për rritjen e sigurisë së furnizimit.
Gjatë vizitës, Balluku deklaroi se Shqipëria është në një nivel të kënaqshëm sa i përket humbjeve në sistemin energjetik. Ajo vuri në dukje se Operatorët e Transmetimit përbëjnë pjesën më të rëndësishme të sistemit, pasi janë ata që sigurojnë lidhjen me vendet fqinje.
“Pra, jemi në një nivel të kënaqshëm përsa i përket humbjeve. Ndërkohë, unë e them gjithmonë që padyshim pjesa e Operatorit të Transmetimit është pjesa më e rëndësishme që ka sistemi energjetik i një vendi, sepse është ajo që na lidh me fqinjët.“, tha Balluku.
Po ashtu, gjatë vizitës, ministrja theksoi se volumet e transmetimit të energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm në rajon, veçanërisht në drejtimin Greqi–Shqipëri, ku linjat janë vazhdimisht të ngarkuara. Kjo e ka nxitur Shqipërinë të ulet në tryezën e negociatave me qeverinë italiane dhe partnerë të tjerë për ndërtimin e një linje nënujore që do të lidhë vendin me brigjet italiane, duke hapur rrugë të reja për shkëmbimin energjetik.
“Volumet e transmetimit të energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm në 5-vjeçarin e fundit në të gjithë rajonin. Këtë e shohim sidomos gjatë verës, duke qenë se vetë Shqipëria është një vend ku numri i vizitorëve i shtohet numrit të banorëve, duke e rritur me disa fish atë. Pra, edhe kërkesën për energjinë. Gjithë transmetimi që shohim nga Greqia drejt Shqipërisë apo anasjelltas, apo edhe linja e Malit të Zi që përdoret për eksportet në Itali, janë gjithmonë të ngarkuara. Kjo është arsyeja pse Shqipëria është ulur në tryezën e negociatave me qeverinë italiane dhe me Ministrinë e Energjisë italiane, por edhe me operatorin e transmetimit në Itali, por edhe me palë të tjera, për të diskutuar edhe me një partner të tretë që janë Emiratet e Bashkuara, për të diskutuar për ndërtimin e linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë me brigjet italiane.”, tha Balluku.
Në nënstacionin “Tirana 2” që ministrja Balluku vizitoi sot është investuar për rritjen e kapaciteteve transmetuese, të cilat garantojnë përmirësim të furnizimit me energji për rajonin e Durrësit dhe të gjithë zonën Jugperëndimore.