E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mirëmëngjes Shqipëri”, Ekspertët analizojnë raportin e Komisionit Evropian — Vendimi politik mund ta afrojë Shqipërinë me BE-në brenda 5–7 viteve

Në një moment kyç për rrugën e integrimit evropian, raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë ka vlerësuar qeverinë “Rama 4” për vijueshmërinë e reformave dhe ka cilësuar përparimin e vendit si “të paprecedentë”.

Ky vlerësim u trajtua gjerësisht në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ku u analizua jo vetëm përmbajtja e raportit, por edhe konteksti politik dhe strategjik që e shoqëron.

Në diskutim morën pjesë dy ekspertë, Daniel Proni nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i pranishëm në studio, dhe Altin Gjeta, ekspert i politikave evropiane, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra.

Të dy sollën perspektiva të ndryshme,  mbi ecurinë e Shqipërisë dhe sfidat që e presin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Daniel Proni e përshkroi vlerësimin e Komisionit si një sinjal pozitiv, por jo domosdoshmërisht të plotë.

Ai theksoi se “progresi i paprecedentë” i përmendur në raport lidhet kryesisht me hapjen e grupkapitujve të negociatave vitin e kaluar, dhe jo me përmbushjen e kritereve specifike në secilin kapitull.

Nga ana e tij, Altin Gjeta solli një analizë më të gjerë mbi procesin e integrimit, duke e vendosur Shqipërinë në kontekstin e Ballkanit Perëndimor dhe politikave të zgjerimit të BE-së.

Ai argumentoi se për dy dekada, vendet e rajonit janë trajtuar si aspirante për anëtarësim, por procesi ka qenë i ngadaltë dhe i ndikuar nga vendime politike.

Daniel Proni: Progresi është real, por jo i mjaftueshëm

Sipas Daniel Pronit, vlerësimi për “progres të paprecedentë” nga Komisioni Evropian lidhet kryesisht me hapjen e grupkapitujve të negociatave vitin e kaluar.

Ai theksoi se në nëntor pritet të hapet kapitulli i fundit, duke shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën e integrimit.

“Progresi i paprecedentë është quajtur hapja e kapitujve, por kjo nuk do të thotë se kriteret për secilin kapitull janë përmbushur. Nga 33 kapituj që vlerësohen, vetëm gjashtë kanë shënuar përparim të lehtë nga 2024 në 2025. Pra, kemi një ritëm më të shpejtë, por ende jo të mjaftueshëm për të justifikuar fjalët ‘paprecedent’,” tha Proni.

Ai shtoi se ky progres lidhet kryesisht me Reformën në Drejtësi, e cila është vlerësuar pozitivisht në raport, veçanërisht për shtimin e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe pastrim parash.

Në dallim nga Mali i Zi dhe Serbia, Shqipëria nuk ka pasur kushte paraparake për hapjen e kapitujve, gjë që e ka favorizuar në këtë fazë të procesit.

Altin Gjeta: Zgjerimi i BE-së është vendim politik, jo vetëm teknik

Altin Gjeta solli një perspektivë më të gjerë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se për dy dekada, këto vende janë trajtuar si aspirante për anëtarësim, por procesi ka qenë i ngadaltë dhe i ndikuar nga faktorë politikë.

“Pas krizës financiare të vitit 2008, BE mori një vendim politik për të mos zgjeruar për një periudhë të caktuar. Vendosja e kritereve ka qenë më shumë një strategji për të vonuar procesin sesa për të ndihmuar vendet të afrohen me standardet evropiane,” tha Gjeta.

Ai shtoi se mungesa e dakordësisë mes vendeve anëtare ka penguar zgjerimin, por pas luftës në Ukrainë, BE ka ndryshuar qasje.

“Në këtë kohë të trazuar me sfida si emigracioni dhe lufta në Ukrainë, BE kërkon një histori suksesi. Zgjerimi është parë si një mundësi reale për sukses politik. Ka një vendim politik që, pavarësisht se Shqipëria dhe Mali i Zi nuk i përmbushin plotësisht kriteret, mund të bëhen pjesë e BE-së brenda 5 deri në 7 vitet e ardhshme,” përfundoi Gjeta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›