E Diel, 1 Nëntor 2026

Balotazhi i Kosovës po shkon pa probleme, por spikat pjesëmarrja jo e lartë në votime

(Update) - Zgjedhjet në Kosove kane nisur pa incidente, por spikat nje pjesemarrje e ulet ne votime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e dytë për media ka dhënë rezultatet e para të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje, deri në orën 11 e 30, duke bërë të ditur se deri në këtë orë në zgjedhje kanë dalë 98.653 votues, ose 9.93 për qind. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka dhënë rezultat e pjesëmarrjes së votuesve për secilën komunë, ndërkohë që ka mohuar të ketë pasur parregullsi, përveç dy vonesave të vogla në dy vendvotime. “Parregullsi nuk ka pasur në hapjen e qendrave as të vendvotimeve, ka pasur vetëm vonesa të vogla dhe ato në dy vende dhe ishin nga 45 minuta, kurse për hollësira tjera nuk kam informatë”, ka thënë Lushta. Përkitazi me mos hapjen e 22 vendvotimeve në Mitrovicë dhe dërgimin e ekipeve mobile atje, Lushta ka thënë se për komunat e veriut ende nuk ka informacion nëse po dalin qytetarët në zgjedhje. “Unë e kam këtu vetëm raportin për Mitrovicën në përgjithësi, jo edhe për komunat e veriut. Atje ekipi mobil është dhe në fund të ditës do t’iu japim informatë lidhur me këtë, domethënë a ka pas votues edhe në atë ekip mobil”, ka thënë ajo. Sipas të dhënave të KQZ-së, pjesëmarrja e votuesve në 21 komunat ku po mbahen zgjedhjet në raundin e dytë deri në orën 11 e 30 është si vijon: Gjilani ka 87.430 votues, kanë dalë në zgjedhje 8.117 votues, ose 9.28 për qind, Sharri 35.454 votues, kanë dalë në zgjedhje 3.883, ose 10.95, Burimi 38.538 votues, kanë dalë në zgjedhje 2.693, ose 6.99, Kaçaniku 29.397 votues, kanë dalë në zgjedhje 4.157, ose 14.14, Klina 36.576, kanë dalë në zgjedhje 6.307, ose 17.34, Dardana 34.540, kanë dalë në zgjedhje 3.269, ose 9.46, Mitrovica 43.307, kanë dalë në zgjedhje 5.394, ose 6.71, Lipjani 48.084 votues, kanë dalë në zgjedhje 4.841, ose 10.07 për qind, Artana 7.938 votues, kanë dalë në zgjedhje 791, ose 9.96, Kastrioti 20.204 votues, kanë dalë në zgjedhje 1.703, ose 8.43, Rahoveci 47.400 votues, kanë dalë në zgjedhje 3.704, ose 7.81, Peja 89.156 votues, kanë dalë në zgjedhje 5.86, ose 5.70, Besiana 71.968 votues, kanë dalë në zgjedhje 7.554, ose 10.35, Prizreni 127.849 votues, kanë dalë në zgjedhje 12.341, ose 8.95, Shtërpca 12.260 votues, kanë dalë në zgjedhje 2.290, ose 18.68, Theranda 55.532 votues, kanë dalë në zgjedhje 7.125 ose 12.83, Vitia 41.438 votues, kanë dalë në zgjedhje 5.956 ose 14.37, Vushtrria 60.762 votues, kanë në zgjedhje 4.279, ose 7.04, Malisheva 42.318 votues, kanë dalë në zgjedhje 6.147, ose 14.53 për qind, Juniku ka 4.962 votues, kanë dalë në zgjedhje 883, ose 17.80 dhe Hani i Elezit ka 7.683 votues, kanë dalë në zgjedhje 1.933, ose 25.16 për qind e votuesve.


Prizren - Komisioni Komunal Zgjedhor ka njoftuar se në komunën e Prizrenit janë hapur të gjitha qendrat e votimit, kurse numri i qytetarëve që po votojnë në orët e para të mëngjesit është simbolik. Në Prizren janë 60 qendra të votimit me 190 vendvotime, kurse të drejtë vote kanë 138 mijë qytetarë. Në Prizren garojnë Ramadan Muja, nga PDK dhe Hanefi Muharremi, nga LDK. Dalja e qytetarëve për të votuar tani është simbolike, por pritet që fluksi më i madh të jetë rreth mesditës.


Mitrovicë - Sipas zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë procesi i votimit për rundin e dytë në këtë komunë ka filluar në ora 7:00, në të gjitha qendrat e votimit, duke përfshirë edhe ato në veri të qytetit. Shaip Arifi nga KKZ, tha se deri më tani nuk kanë informata se në ndonjë qendër është paraqitur ndonjë problem, dhe sipas tij sipas informative që kanë çdo gjë ka filluar mirë.


Gjilan - Sipas planifikimeve që në orën 7.00 janë hapur të gjitha qendrat e votimit në komunën e Gjilanit dhe se tashmë kanë filluar edhe qytetarët të hedhin votat, ndërsa përjashtim si herën e kaluar bën Budriga. Bëhet e ditur se sikurse në raundin e parë edhe kësaj radhe problem ka paraqitur fshati Budrigë, ku ende nuk është hapur qendra e votimit për shkak të mos kompletimit të stafit dhe dërgimit të materialit sensitiv. Nga Partia Demokratike e Kosovës në garë është Qemajl Mustafa, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Fatmir Rexhepi.


Kastriot - Që në orën shtatë të mëngjesit të gjitha qendrat e votimit në komunën e Kastriotit janë hapur dhe procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Komunës ka filluar normalisht, duke përfshirë edhe qendrat e votimit të serbëve. Zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor kanë bërë të ditur se janë hapur të gjitha qendrat në orën 7 dhe gjithçka po shkon si duhet. Komuna e Kastriotit është një prej komunave ku ka edhe votues serbë dhe romë, dhe siç ka bërë të ditur Krasniqi, janë hapur me kohë dhe pa probleme edhe qendrat e votimit ku do të votojnë serbët dhe romët. Qendra më e madhe e votimit në Kastriot është ajo në shkollën fillore “Pandeli Sotiri”, ndërkaq, dy kandidatët për kryetar të Komunës, do të votojnë, Mjekiqi në Grabovc, kurse Krasniqi në Sibofc.


Besianë - Zyrtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor kanë bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit në komunën e Besianës janë hapur me kohë, ndërsa në këto orë të para ka një dalje simbolike e qytetarëve për të votuar. Sipas tyre, procesi zgjedhor është duke shkuar pa probleme. Në komunën Besianës janë gjithsej 43 qendra votimi me 104 vendvotime. Të drejtë vote kanë gjithsej 72.986 qytetarë. Kandidati i LDK-së për kryetar të Besianës, Agim Veliu do të votojë në vendvotimin në shkollën fillore në fshatin Bradash, ndërsa Muhamet Latifi, kandidat i PDK-së do të votojë në vendvotimin në shkollën fillore në fshatin Pollatë.


Therandë - Sipas të dhënave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Therandë deri në ora 10.00 kanë votuar 4 deri në 5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Të gjitha qendrat e votimeve në këtë komunë, 30 sosh, janë hapur me kohë, në ora 7.00, ndërsa procesi zgjedhor po kalon pa probleme të theksuara. Shtabi Zgjedhor i AAK-së është ankuar se në fshatin Mushtisht anëtarë të PDK-së po bën fushatë gjatë procesit zgjedhor. Ndryshe, në komunën e Therandës janë më shumë se 55 mijë qytetarë, të cilën kanë të drejtë vote.


“Demokracia në Veprim”: Procesi i votimit ka filluar me probleme të vogla/Drejtues të Koalicionit të organizatave joqeveritare kosovare “Demokracia në Veprim” kanë thënë se janë shënuar probleme të vogla gjatë procesit zgjedhor në komunën e Mitrovicës, Malishevës dhe atë të Prizrenit. Ismet Kryeziu, kryesues i këtij koalicioni, në një konferencë për media të dielën përmendi parregullsitë në Mitrovicë ku kryesuesi i një qendre ka votuar pesë herë. “Në Mitrovicë në vendvotimin sa më lajmërojnë në vendvotimin 115 B 02, kryesuesi i komisionit ka votuar 5 herë. Ndërsa në vendvotimin 111 7B, po ashtu, në Mitrovicë ka edhe votime familjare, të cilat prapë iu bëjmë thirrje qytetarëve që janë me të afërmit e tyre të ju mundësojnë të afërmve të tyre të votojnë lirshëm dhe të votojnë vetë. Vetëm në ato raste kur gruaja, motra vëllai i tij nuk di shkrim-lexim mund të votojë, mund ta shoqërojë, përndryshe ju bëjmë thirrje që të votojnë edhe anëtarët e familjes të votojnë lirshëm dhe të votojnë vetë”, tha Kryeziu. Për sa i përket publikimit të rezultateve të zgjedhjeve për kryetar në 21 komuna, Kryeziu theksoi se rezultatet pritet të publikohen sa më shpejt që është e mundur. “Ne kemi 1243 vëzhgues në mënyrë statike në gjithë Kosovën në gjithë 21 komuna kem një ekip pothuajse 100 vëzhgues, edhe disa partnerë tanë ndërkombëtarë, të cilët janë në ekipe mobile dhe janë të shpërndarë në këto 21 komuna, do të thotë ky është numri i vëzhguesve. Me rezultate do të dalim në momentin që është e mundur do të dalim”, ka thënë Kryeziu. Ai ka përmendur parregullsi edhe në komunën e Malishevës, në fshatin Llapqevë dhe fshatin Ponovc të cilët janë hapur me dy orë vonesë si pasojë e mosmarrëveshjeve të komisionarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›