Falsiteti propagandistik i ekzaltimit të bojkotit
Bojkoti është bërë kryefjala e medieve, për interesin e një njeriu të vetëm që synon të jetë i trepushtetshëm. Në të vërtetë, në rastin konkret, është një eufemizëm, për të zbukuruar thelbin, që përqendrohet në ultimatumet e “falangave” më ekstremiste të majtizmit tonë sui generis. Falanga quheshin detashmentet e vullnetarëve të Frankos nga internacionalistët që kërkonin të vinin pushtetin në dorë. Kështu ia kishte marrë Lenini pushtetin socialrevolucionarit Kerenski, pas 20 vitesh, në 1917-n.
Tipari thelbësor i kësaj lëvizjes sonë jashtëzgjedhore qëndron te deklaratat fillestare se hapja e kutive në tri zona zgjedhore nuk synon ndryshimin e raporteve të mandateve, por ka për qëllim që zgjedhjet e ardhshme të shmangnin parregullshmëritë që do të verifikoheshin nga rinumërimi i kutive. Kjo u vërtetua si një hipokrizi e qashtër. Prova më e saktë përmblidhet në llomotitjet e çmendura të Spartak Ngjelës, e kësaj thërrimeje politike, por me përmasat e një njeriu që flet si në kllapí. Ky personazh që i përngjan Pollonit të Shekspirit, - i tëri trajtë, por me aspak përmbajtje, - mëton të rrëzojë qeverisjen për tri ditë! Pastaj kujtohet se ka dalë binarësh dhe e shtyn “rrëzimin” për shtatë ditë! Profecitë e këtij të ashtuquajturi njohës të ligjeve, - nëse ka në ndonjë legjislacion demokratik dhe “ligje” të dhunës, - gjithmonë i ka marrë lumi. Veçse nga këto përçartje zbulohet se nuk qenka aspak e vërtetë ajo thënia mashtruese se nuk e paskan hallin që të marrin pushtetin në tryezë, me anë bojkotesh ultimative. Ky ndërrues partish dhe tanimë një laké i hardallosur i Edvinit, në halucinacionet e tij e sheh ustanë si fitimtar në luftë, që tani mundet të diktojë kushtet e armëpushimit! Ndërsa në të vërtetë, edhe persona të rëndësishëm të partisë së tij e quajnë E.R.-n, humbës. Dhe e gjithë rrëmuja që ka ngritur në këmbë për të diskredituar vendin e tij, është se nuk pranon të dorëzojë ofiqin e kreut të PS-së, sipas statusit të PS-së.
b) Kush do t’i hapë kutitë, meqë komisionerët socialistë (20 mijë, përkundrejt zerove të partive të tjera, me përjashtim të PD-së), janë shpallur tradhtarë dhe të procedueshëm për gjyq! Ata komisionerë janë firmosur me mandat përfaqësues kokërr më kokërr nga Edvini. Tani na dalka e pabesueshme jo vetëm Lëvizja për Mendimin Ndryshe, brenda radhëve, por na qenkan të tillë edhe komisionerët e PS-së, që mendohet se janë zgjedhur për besnikëri të padyshimtë. Atëherë si qenkan të besueshëm ata që futen në autobusë xhaba, madje edhe me lëkë në dorë, për të shtuar kallaballëkun?
Nga ana tjetër, a mund t’u hiqet mandati ligjor komisionerëve, persona juridikë, me firmë e me vulë? KQZ-ja a mund të mos e përfillte verdiktin e tyre? Mund t’i thuhet E. Ramës: - Me këtë sindromë mosbesimi, përse nuk more përsipër të viheshe vetë në rol të komisionerit për të verifikuar fletë për fletë (votimi), në zonën zgjedhore që mund ta zgjidhje po vetë? Një pyetje tjetër, drejtpërdrejt kontestuesit, duke marrë parasysh thënien se komisionerët e tij e paskëshin dredhur: A keni prova për një thënie të tillë komprometuese? Nëse po, sa qindra të tillë keni proceduar? Këtu duhet ta verifikonit mëtimin tuaj, e jo të ndërmerrnit një katrahurë artificiale, që e ka zanafillën te rebusi, që të mbeteshit arbitrarisht kryetar i PS-së!
c) Përse ky turbullues që do të gjejë qimen në përpeq ia kërkon Berishës hapjen e kutive, kur kryetarët e të dy partive të mëdha nuk e kanë në dorë, sa njëri po aq dhe tjetri, ta bëjnë këtë punë, pa rënë ndesh me ligjin? Urdhëro e hapi vetë, nëse e ke në dorë! Po aq e ka në dorë edhe Berisha.
d) I gjithë faktori ndërkombëtar është i njëzëshëm që kutitë e votimit janë të paprekshme. Përjashtim bën vetëm një zë i huaj, sipas të cilit janë numëruar keq ose shumë keq! Zërat e tjerë se zgjedhjet janë më të mirat ndër ato që janë monitoruar, s’paskan rëndësi? Mos të harrojmë edhe se këta zëra çdo ditë shtohen, por jo në hullinë e atij të vetmuari, të cilin propagandistët e mashtrimit e kanë bërë kalin e betejës!
e) Në këtë farë propagande të montimit të zallamahisë së rrugëve, me detyra të veçanta të punonjësve të bashkive majtiste, është përdorur shprehja e “popullit opozitar”, madje është folur edhe “në emër të popullit”, si Aranit Çela që dënonte njerëz të pafajshëm! Kjo dëshirë prej satanai ju ka lajthitur sikur t’ju ketë pickuar miza CC, që të zmadhoni me kuadrate e me lista - si në kohën e Enverit - por edhe me rojtarë të paguar bashkiakë, që të mos ikin të grumbulluarit! Veçse edhe ky ankth që të dukeni shumë e më shumë, ju doli blof nga azgjësimi që ju bëri mitingu festiv i 500 mijë vetave, të mbledhur në mënyrë spontane, jo me blerje me lekë nëndorë e mbidorë! Këtë feste të 8 dhjetorit të lavdishëm, bojkotuesit zanatçinj u orvatën ta sabotonin, por nuk mundën dot të përmbanin një uragan. E pastaj, pas disa ditësh, me asin e mashtrimin nën mëngë, deklaruan se festa e rinisë dhe e antikomunizmit ishte edhe festa e tyre!
* * *
Do të donim të përfundonim, duke theksuar edhe disa vëzhgime:
E majta jonë është pakicë në vendin tonë të masakruar nga komunizmi. Shumicën e përbën e djathta. 30-40 mijë manifestues, thuajse të tërhequr me pare në valle, e morën përgjigjen nga 500 mijë manifestues të së djathtës. Do të ishte paradoksale që pakica e E.Ramës të qeveriste shumicën fituese në zgjedhjet e 28 qershorit.
Mbi manifestimin ekzemplar të 8 dhjetorit, nihilistët e E. Ramës kërkojnë të shtrijnë propagandën e tyre mashtruese, në dy drejtime: Në shpenzimet dhe në përbërjen e tribunës.
Veçse asnjëherë kjo propagandë denigruese nuk ka folur për shpenzimet e varganit të autobusëve që kanë shëtitur të gjithë vendin tonë, anekënd, për t’u dhënë fshatarëve të të gjithë Shqipërisë të njëjtat leksione bajate sesi mbillet e si korret! Nuk dallohet te Edvini koha e fushatës zgjedhore, nga ajo parazgjedhore. Prandaj, me të drejtë, FMN-ja në radhët e PS-së, e akuzoi humbësin e zgjedhjeve për personalizimin e tyre dhe për mungesën e një programi zgjedhor. I kishte marrë koka erë, se zgjedhjet do t’i fitonte vetë! Nuk kishte nevojë as për aleanca. Por e pagoi siç e meritonte. Tani kërkon të fajësojë kë të mundet! Për shpenzime të natyrës propagandistike, Edvini s’ka gojë të flasë.
Sa për dhjetoristët që paska përjashtuar Berisha, kjo ka hilen e propagandës helmuese, që është shtrirë si vaji në lakra. Askushin nuk ka përjashtuar Berisha: Kanë ikur vetë. Kanë llogaritur se është më mirë te patricët e majmë sesa te plebejtë e ndershëm. Shihni gazetarët e organeve të shtypit apo të medieve vizive se cilët paguhen më shumë! Mustafa Nanos i shpëtoi goja dhe tha publikisht se merr 3000 euro në muaj, (për propagandë në shërbim të majtizmit ekstrem!). Punët i solli kështu mungesa e destalinizimit në vendin tonë, me ferman të Enver Hoxhës. Prandaj jemi prapa vendeve të “revizionistëve” lindorë! Berisha është liberal edhe në kuptimin se e kanë derën të hapur të vijnë të larguarit, në PD! Kurse E. Rama i ka vënë dërrmën Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, lëvizje e cila gjendet nën rrezikun e përjashtimit nga PS-ja, nëse guxon të hyjë në parlament, kur dihet se përkushtimi ndaj Shqipërisë duhet t’i paraprijë zellit partiak. Këtë postulat e ka kuptuar drejt I. Meta, që nuk ra nën huqet e egocentrizmit të E. Ramës, për hir të Integrimit, që e ka edhe në emblemën e partisë së tij.
Por manifestimin e 8 dhjetorit, si ajo fabula e La Fontenit, e dhelprës me rrushtë, propaganda e pabesueshme e përgojon edhe për mungesë entuziazmi! Kur dihet se brohoritjet s’kishin të reshtur! Veç në paçin veshët të dyllosur, për të mos dëgjuar...
...