E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Dallimet thelbësore ndërmjet mitingut madhështor të lirisë, me grumbullimet bojkotuese të E. Ramës

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Sheshi Skënderbej të përmbushej plot e përplot dhe të përfshinte pjesë të bulevardit Zog I, si edhe pjesë të fillimrrugëve të Durrësit e të Kavajës. As në kohën e diktaturës, as në atë të demokracisë, kjo dendësi njerëzish është pa precedent. Është një dallim që bie në sy vetiu ndërmjet kësaj bashkësie të pambaruar njerëzish entuziastë, të ngjeshur sup më sup, dhe atyre personave të organizuar si dikur vahtit, për të përligjur bojkotin antishqiptar të Edvinit. Manifestimi madhështor i lirisë, i krahasuar me ato grupimet e inkuadruara, me listë ruajtjesh të kontingjenteve dhe me të ngarkuar bashkiakë që të mos largohet askush, me kërcënimin e heqjeve nga puna, do të ishte si një det në përqasje me një kënetë që mezi përftohet nga ujërat e kësaj stine. Në disa stacione televizive të komunikimit telefonik me teleshikuesit, u fol për 500 mijë pjesëmarrës.  Nuk do të doja të flisja me shifra absolute, por krahasuese. Jam i mendimit se, në një mundësi virtuale të një rreshtimi në kolonë për të vajtur gjer në sheshin Nënë Tereza, kreu do të ishte në këtë shesh dhe fundi do të ishte në sheshin e mitingut të demokracisë, apo të rinisë shqiptare,- siç u shprehën disa nga bashkëbiseduesit telefonikë. Kuptohet, pra, se pjesëmarrja me dëshirë e këtij manifestimi përkujtimor të mrekullueshëm, ishte disa herë më e madhe se grumbullimet bojkotuese në të cilat mbizotëronin bashkiakët, gjer te fshesaxhinjtë, të cilët dhanë 5 lekë e u futën në valle e, tanimë, as me 100 lekë nuk dilnin dot, - siç është ajo shprehja humoristike e popullit. Në të vërtetë, bojkotimet që kishin për objekt “përligjjen” e E. Ramës si kryetar të PS-së (në fakt:mandatprerë), ishin diskredituese në disa pikëpamje, siç do ta trajtojmë gjatë këtij shkrimi.

Disa zëra, të mbrujtura me propagandën mashtruese të së majtës ekstreme, që ka marrë yrnek nga propaganda e indoktrinuar e diktatorit E. Hoxha, ndërkallnin mendimin se u mbyllën shkollat. Në këtë valle u fut edhe Fiksi. Kishin dërguar  persona në të gjitha qytetet e mëdha të vendit tonë, për pyetjet standarde se kur ishin mbyllur shkollat. Përgjigjen më simptomatike e morën nga ai që u tha: “Kjo është festa e demokracisë dhe duhej shpallur festë zyrtare. Megjithatë ne vazhduam mësimet, të ngushtuara pak, dhe mbaruam në orën 12, në vend të orës 13. Tani cilido niset për në Tiranë dhe kush të dojë nuk niset”. Shumëkujt do t’i kujtohen mitingjet zgjedhore të së majtës, kur shkollat nuk bënë asnjë orë mësim dhe mësuesit kujdestarë ishin ngarkuar nga drejtoria që nxënësit t’i çonin të rreshtuar në manifestim, duke mbajtur shënim ata që, eventualisht, mund të largoheshin. Edhe këtu jemi para një “panorame” krahasuese. Sepse kreu autokrat i bashkisë dhe kryetari abuziv i PS-së, - siç quhet edhe nga një numër i madh i personave të shquar brenda kësaj partie,- nga njëra anë na qenka tepër rigoroz për moslargimet por, nga ana tjetër, vetë është kryetar me korrespondencë i bashkisë së kryeqytetit. Me përjashtim kur ndërhyn në vetë të parë për të bërë të njëmendët atë absurdin që dy veta, si Eftimi dhe Shkreli, të jenë ekskluzivë  në zhvatjen e lejeve të ndërtimit, ndërsa ndërtuesit e tjerë mbeten me gishtin në gojë. Jo më kot ka marrë nofkën e mister 15 %-shit, që tashmë është bërë mister 20 %-shi! Nëse mund të bëjmë edhe një dallim emocional të mitingut madhështor të pardjeshëm me ato mbledhjet obstruksioniste të E. Ramës, është e padyshimtë se fjala e Dr. Berishës u prit me brohorí të pandalshme dhe me entuziazëm frymëzues, ndërsa ato grumbullimet mitingashe të Edvinit pavarësisht se ishin të njollosura edhe me korrupsionin ( “merr dhjetëmijë lekët dhe hyr në autobus!”), ishin gjithmonë e në rënie për kah  hareja dhe, ç’është më e papranueshmja, mbaheshin si me roja, për të mos e braktisur rreshtin. Jo vetëm që mungonte spontaniteti, por retorika boshe dhe propaganda monotone i kishte bërë të mërzitshme e të pabesueshme edhe për një morí pjesëmarrësish. Shumë prej tyre e kuptonin se mosnjohja e parlamentit ishte e dënueshme nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Erdhi puna që treditëshi u shndërrua në dyditësh.

Nga halli, jo nga malli!              

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›