E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rrëzon Aldo Baren, kërkoi liri për herë të dytë

TIRANË- Gjykata e Apelit lë në burg kreun e bandës së Lushnjes Aldo Baren. Tre javë pasi e njëjta kërkesë e tij për lirim u rrëzua nga Gjykata e Shkallës së parë e Krimeve të Rënda, avokati i tij mbrojtës Vladimir Mece iu drejtua Gjykatës së Apelit. Avokati i Bares Vladimir Mece i kërkoi Gjykatës së Apelit lirimin nga burgu të Aldo Bares me pretendimin se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit. Në kërkesën e tij për lirimin e Bares avokati Mece kërkoi rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda me arsyetimin se klientit të tij i kanë përfunduar afatet në kohën që mbahej në qelitë e Turqisë, pra që nga vitit 2006 deri në 2009, kohë kur u ekstradua në Shqipëri. Bare u ekstradua nga Turqia në 29 nëntor. Por sipas Gjykatës së Apelit masa e sigurisë ndaj Aldo Bares duhet të mbetet në fuqi deri në përfundim të gjykimit të tij për akuzat e ngritura. Megjithatë avokati i tij Vladimir Mece thotë se do vazhdojë betejën edhe në Gjykatën e Lartë. Aktualisht, Alfred Shkurti i njohur si Aldo Bare është nën procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, i akuzuar si drejtues i "Bandës së Lushnjes", mbi të cilën rëndojnë një sërë krimesh të rënda, të kryera vite më parë në Shqipëri. Ndaj tij rëndojnë akuzat për dhjetra vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, etj.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›