E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Forcat e Armatosur evakuojnë banorët

Forcat e Armatosura rrisin intensitetin e punimeve në zonat e përmbytura në Shkodër dhe Lezhë.
Forcat dhe mjetet ushtarake të dërguara në zonat e përmbytura në Shkodër e Lezhë kanë vazhduar kryerjen e detyrave për përforcimin e argjinaturave, evakuimin e popullsisë në zonat e përmbytura, dhe transportimin e mallrave të ndryshëm.
Në zonën e Operacionit janë angazhuar 190 forca dhe dhjetëra mjete që shërbejnë për transport të njerëzve dhe mallrave si dhe mjete të tjera që kanë punuar për përforcimin e argjinaturave dhe transportimin e inerteve.
Gjithashtu, në Batalionin e Reagimit të Shpejtë në Shkodër kanë mbërritur 17 forca nga FSK-ja e Kosovës, të cilët janë angazhuar në ndihmë të popullsisë civile.
Brigada e Reagimit të Shpejtë është angazhuar gjatë ditës së sotme me 118 forca dhe 25 mjete.
Në zonën e Dajçit janë kryer evakuime të banorëve të rrezikuar dhe materialeve të ndryshme, ndërsa në Samrisht kanë bërë bllokimin e argjinaturës së dëmtuar.
Janë evokuar disa banorë dhe 27 bagëti. Janë vendosur 600 thasë me rërë për të bllokuar çarjet e pritave.
Në Bërxhat vazhdon puna për ndërtimin e argjinaturës.
Komanda e Mbrojtjes Rajonale në Shkodër është angazhuar me 49 forca, 8 mjete dhe 5 varka. Këto forca kanë riparuar gjatë ditës së sotme tre rrugë me materiale inerte, është bërë evakuimi i popullsisë, janë furnizuar me ushqime familje që jetojnë në zonat e përmbytura dhe janë transportuar të sëmurë për në spitalin civil në Shkodër.
Brigada e Mbrojtjes Rajonale ka vazhduar operacionin në Tale Lezhë në riparimin e argjinaturës së dëmtuar, ku janë transportuar 120 m3 inerte duke u angazhuar 14 forca dhe 8 mjete. Fadromat kanë punuar 5 orë për rregullimin e argjinaturës.
Komanda Mbështetëse ka vazhduar operacionin në Komunën Dajç me 6 mjete ku është bërë transport inertesh nga Velipoja në Dajç në sasinë 125 m³ për rregullimin e argjinaturës dhe shtrimin e rrugës. Në Ishull Lezhë janë angazhuar 7 mjete të tjera që kanë transportuar 224 m³ inerte për forcimin e argjinaturës. Në fshatin Semishtë në Shkodër është transportuar 40 m3 zhavorr dhe në fshatin Qafë gjithashtu, për të normalizuar kalimin në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›