E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balotelli s’është në formë

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, e ka komentuar mosftesën e sulmuesit të ri Mario Balotelli nga trajneri Jose Mourinho në ndeshjet e fundit. Sipas numrit një Nerazzurr, lënia jashtë e futbollistit me prejardhje ganeze nuk ka të bëjë me diçka tjetër, por vetëm me formën e tij aktuale.

“Mario nuk është në formë. Janë disa momente kur nuk është në formë as fizike as në kokë”, ka thënë Moratti, i ftuar në programin zbavitës ‘Striscia la Notizia’. Pikërisht në këtë emision, një ditë më parë Balotellit i ishte ofruar fanella e Milanit, të cilën nuk kishte hezituar aspak ta vishte, gjë që ka zgjuar indinjatë të thellë te Nerazzurrët.

Tashmë atij ia kanë kthyer shpinën edhe lojtarët e Interit, që nuk duan ta kenë në skuadër një lojtar që bën vepra të tilla. Ndërkohë, pasi ka parë xhirimet, menjëherë ka ndërhyrë presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, që e pret duarhapur në skuadrën e tij talentin italian.

“Nuk e di se a do të vijë, nuk duhet të më pyesni mua. Megjithatë, ai ka një fytyrë mjaft simpatike, një fytyrë Rossonere”, ka thënë Berlusconi.

Kohë më parë, vetë Balotelli ia kishte zbuluar një grupi fëmijësh se e ka në zemër Milanin. Balotelli nuk ka pranuar të kërkojë falje për gjestet e bëra dhe për arrogancën që e shfaq, kështu që ka mbetur jashtë edhe në përballjen e së mërkurës Inter-Livorno.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›