Balta vendos në Besa-Tirana 1-1
Në mes të llucës që dominoi takimin, Besa e fal Tiranën dhe tashmë e shikon veten shumë larg Dinamos kryesues. Kavajasit kanë ndarë nga një pikë me kryeqytetasit pas barazimit 1-1 në sfidën e zhvilluar dje në qytetin e tyre, e vlefshme për javën e 15 të Kategorisë Superiore. Ky rezultat i ka lënë të pakënaqura të dyja skuadrat, ndërkohë që i ka shkuar për shtat Dinamos kryesuese (në kuotën e 41 pikëve), që tashmë e shikon veten me 14 pikë më shumë se Besa e vendit i dytë, 17 më shumë sesa Apolonia e vendi i tretë dhe 18 më shumë sesa Tirana e vendi i katërt. Për koincidencë edhe ndeshja midis tyre në Fazën e Parë, e luajtur në Tiranë, ishte mbyllur me rezultatin 1-1. Gjithsesi, në takimin e djeshëm ishin kavajasit ata që e dominuan lojën dhe patën rastet më të mira për shënim. Kërcënimi i parë i verdhezinjve erdhi nga ana e sulmuesit kryesor, Daniel Xhafaj, i cili lëshoi një gjuajtje tokazi në minutën e parë, por portieri i Tiranës, veterani 38-vjeçar, Blendi Nallbani, reagoi mirë. Pas pak minutash kundërpërgjigjet Tirana me mesfushorin Jetmir Sefa, i cili vuri në provë kapitenin Orges Shehi, por durrsaku 32-vjeçar tregoi largoi rrezikun. Në minutën e 9-të, Bicaj gjuajti me të majtën, por topi përfundoi përmbi traun e portës së Besës. Ndeshja në fjalë u luajt në një terren mjaft të rënduar të stadiumit kavajas, i cili u bë pengesë e madhe për zhvillimin e një loje normale. Madje Besës i mohoi një gol balta, sepse topi i goditur nga Daniel Xhafaj mbeti në llucë, teksa ishte drejtuar rrjetës së Nallbanit. Sulmuesi i kavajasve mbeti i hutuar, ndërkohë që portieri bardheblu, pati kohën e mjaftueshme dhe të rikthehej dhe të neutralizonte një gol të sigurt. Në minutën e 16-të, Tirana bëri një ndërrim të detyruar, kur në vend të mbrojtësit Andi Lila, të dëmtuar, trajneri Alban Tafaj hodhi në fushë Tefik Osmanin. Të parët që kaluan në epërsi kanë qenë verdhezinjtë, me anë të durrsakut Dritan Babamusta, në minutën e 23-të: pas një harkimi të Artion Poçit, topi mbërriti te Meglid Mihani, ky i fundit pasoi drejt Dritan Babamustës dhe mesfushori i verdhezinjve shënoi me kokë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Goli i parë sezonal i durrsakut Dritan Babamusta. Më tej loja është zhvilluar me luftë të fortë sportive, ku të dyja palët kërkonin të shënonin, Besa për të siguruar e dyfishuar epërsinë, ndërsa Tirana për të barazuar. Në pjesë n e dytë portieri dhe njëkohësisht kapiteni i Besës, Orges Shehi, priti gjuajtjet e Sefës, por jo atë goditje të lirë e të kalibruar të Jualian Ahmatajt në minutën e 88-të, një top i përfunduar në trekëndëshin e portës. Goli i dytë sezonal i elbasanasit Jualin Ahmataj. Kavajasit protestuan në mënyrë normale ndaj vendimit të gjyqtarit durrsak, Erion Dobi, për dhënien e goditjes së lirë, që sipas tyre nuk ishte e rregullt. Dy minuta më pas, mbrojtësi Ditmar Bici, një nga lojtarët më të mirë të Tiranës në këtë takim u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq. Kjo ishte ndeshja numër 127 mes dy skuadrave, të cilat tashmë duket se do të duhet t‘i thonë lamtumirë titullit kampion në këtë sezon.