Rama: Nuk festojmë dot, Berisha shkaktoi varfëri ekstreme
"Ne protestojmë në këtë shesh sikurse edhe në të gjithë Shqipërinë, pasi jemi të pamundur të festojmë për shkak të varfërisë ekstreme ku na ka çuar Berisha dhe oborri i tij qeveritar". Me këto fjalë e ka nisur fjalimin e tij kryetari i PS-së, Edi Rama, para mbështetësve të opozitës në qytetin e Elbasanit. Ashtu sikurse në Durrës e Berat, edhe në këtë qytet, kreu i socialistëve ka bërë një rezyme të problemeve ekonomike. "545 mijë pensionistët e këtij vendi kanë frikë të hyjnë në vitin që vjen, pasi e tërë përqindja e shtesës së pensionit nuk do të mund ta përballojë energjinë elektrike të rritur dhe koston e jetës po ashtu", deklaroi Rama. Sipas tij, në gjendje të mjeruar janë lënë 46 mijë invalidë, 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, si dhe 110 mijë nëpunës që nuk marrin dot shpërblimin e një viti pune e që nuk ka sigurinë e vendit të punës në këtë vend.
"Paratë e shqiptarëve të varfër janë shpenzuar nëpër fushatat e Berishës dhe vetëm mitingu i fundit në Tiranë, ku njerzit janë grumbulluar me urdhër të prerë, ka kushtuar rreth 4 milionë euro", vazhdoi kreu i PS-së. Rama ndërkohë theksoi se bilanci i këtij viti katastrofik mbyllet me zero përqind rritje ekonomike, pavarësisht nga dogmat e kreut të qeverisë dhe "zëdhënësit" Bode. Ndërkohë, kryesocialisti Rama shpjegoi se rrogat dhe pensionet janë rritur në kundërshtim me udhëzimet e FMN-së dhe kjo do ta rëndojë më tepër krizën ekonomike dhe sociale në vend. "Për hir të interesave të vendit dhe të këtij populli të varfër, ne kemi propozuar paketën ‘Antikrizë‘, por nuk besojmë se kabineti oborrtar i qeverisë Berisha do të mund ta marrë në konsideratë, pasi e ka arkën e shtetit bosh dhe arkën e borxhit të brendshëm dhe të jashtëm plot", shpjegoi Rama. Sipas tij, nuk ka rrugë tjetër për opozitën, përveçse të kërkojë me mjete demokratike rrëzimin e paaftësisë së qeverisjes Berisha. Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, që hapi mitingun protestues, theksoi se ky qytet numëron mbi 34 mijë të papunë, ose 40% e fuqisë së aftë për punë, dhjetëra shkolla që nuk janë rikonstruktuar për shkak të mungesës së fondeve të parashikuara nga buxheti i shtetit, 24 milionë lekë të reja më pak në buxhetin e ardhshëm nga qeveria qëndrore për Elbasanin, si dhe rreth 400 biznese të kategorive të ndryshme që mund të mbyllen këtë vit. Më pas, të gjithë deputetët socialistë që kanë marrë fjalën, kanë pohuar sloganin "Hap kutitë, ose ik", gjë që është kërkuar nga pothuajse të gjithë pjesëmarrësit si në kor. Sipas deputetit Taulant Balla, ky shtet është kapur nga monopolet financiaro-politike dhe gjendja ekonomike e mjeruar ka pllakosur në të gjithë vendin. Ndërsa Leskaj ka pohuar se Berisha ka mashtruar gjithë Qarkun e Elbasanit, kur ka thënë në fushatë se në hidrocentralin e Banjës do të hapen 10 mijë vende pune, por atje nuk ka as edhe një traktor që të punojë. Në këtë protestë nuk kanë qenë pjesmarrës aleatët e tjerë të PS-së, apo përfaqësues të forcave të tjera që i janë bashkuar qëndrimit të opozitës në këto protesta.
Be.Dy.