E Shtunë, 31 Tetor 2026

ÇMIMI I DRITAVE, POPULLI PAGUAN HAJDUTERINE

Rritja e çmimit të energjisë elektrike është rrjedhojë e një odiseje të gjatë shumëvjeçare keq-qeverisjeje, korrupsioni dhe vjedhjeje. Të gjitha qeveritë shqiptare, edhe kjo e fundit e Kryeministrit Sali Berisha, dështuan më mënyrën më të turpshme për t‘i vënë fre keqmenaxhimit të Korporatës Energjetike (KESH), pavarësisht planeve dhe angazhimeve për normalizimin e gjendjes. Qeveritë kanë dështuar për t‘i vënë fre vjedhjes së energjisë, që është edhe shkaku kryesor i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, duke e kaluar barrën e këtij keqmenaxhimi dhe korrupsioni në kurriz të konsumatorëve të varfër shqiptarë. Për vite e vite me radhë, KESH dhe qeveritë shqiptare nuk kanë arritur të vjelin thuajse gjysmën e energjisë së shpërndarë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit qindra milionë euro apo dollarë humbje. Neglizhenca është skandaloze! Sepse nuk është vetëm një pjesë e popullatës që nuk paguan, duke u justifikuar me varfërinë, por edhe biznese të fuqishme, si kompania "Armo", TEC-i i Fierit apo "Albpetrol", që janë toleruar të mos paguajnë shuma të mëdha. Duket se paaftësia dhe korrupsioni kanë luajtur rolin e tyre edhe në uljen e efektivitetit të investimeve dhe në rrjetin e shpërndarjes, duke i mbajtur të larta humbjet teknike në rrjet. Dhe është e qartë se sikur gjërat të kishin rrjedhur ndryshe, sot shqiptarët nuk do të detyroheshin të paguanin me rrogat dhe pensionet e tyre të varfra një energji elektrike të shtrenjtuar mu në mesin e krizës ekonomike.

***
Që është pikërisht kështu, provohet edhe nga deklarimet e institucioneve financiare ndërkombëtare. "Energjia e pafaturuar është thelbi i problemeve financiare të KESH-it - pohonte një dokument i FMN-së në fillim të këtij viti - pavarësisht të një farë progresi në rritjen e ritmeve të faturimit në 2008 të energjisë, që ka qenë rreth 52 për qind në 7 vitet e fundit, me gjithë planet e përsëritura të veprimit në këtë sektor". Pra qeveria dhe KESH kanë bërë plane për përmirësimin e gjendjes, por ato kanë mbetur në letër. Rreth 48 për qind e energjisë elektrike nuk paguhet. Ky është edhe një nga shkaqet, sikundër kanë pranuar edhe drejtues të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), që detyron rritjen e çmimit të energjisë.
Në kohën që në pushtet ishte qeveria socialiste e Fatos Nanos, një nga kritikat e opozitës së PD-së të udhëhequr nga Berisha, qe pikërisht keqadministrimi dhe korrupsioni në KESH. Madje përflitet se një nga shkaqet kryesore për shkarkimin e kryeprokurorit Arben Rakipi në ato kohë, ishte pikërisht nisja prej tij e një hetimi rreth korrupsionit në importin e energjisë elektrike. Mësohet se kjo dosje mbetet e mbyllur në prokurori, edhe pse në pushtet mbetet një qeveri "e duarve të pastra" që premtoi se do luftonte korrupsionin e vjetër dhe të ri. Edhe shoqëria civile dhe Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ), kundërshtuan me protesta në atë kohë, një shtrenjtim të energjisë elektrike në përmasa shumë më të vogla se rritja e sotme. Por sot shohim se gjendja nuk ka ndryshuar thuajse aspak për mirë. Edhe pse operatori i shpërndarjes së energjisë (OSSH) është privatizuar nga një kompani çeke, përqindjet e vjedhjeve të energjisë, e humbjeve teknike në rrjet, mbeten përsëri të larta sa për të mos dalë me humbje, OSSH-ja ka vendosur të rrisë çmimin e energjisë, duke ia kaluar barrën e gjithë këtij abuzimi shumëvjeçar asaj pjese të popullsisë dhe atyre familjeve shqiptare që paguajnë energjinë.

***
Mesazhi politik dhe kostoja ekonomike janë paradoksale: kush respekton ligjin, detyrohet të paguajë më shtrenjtë, ndërsa kush e shkel atë, shpërblehet me energji "falas"! Kush paguan energjinë, jo vetëm që nuk shpërblehet me çmim më të ulët, por detyrohet të paguajë edhe për të gjithë ata që nuk paguajnë. I fituar del gjithkush që nuk zbaton ligjin. Dhe këtu përfshihen edhe kompani milionerësh si "Armo", që së fundi mësohet se i detyrohet KESH-it rreth 140 milionë lekë apo TEC-i i Fierit dhe "Albpetrol" me rreth 5 milionë lekë secili. Ky është paradoksi i keq-qeverisjeve dhe korrupsionit, por edhe shuplaka e tyre për konsumatorët e ndershëm. Tashmë mësohet se sikur OSSH të kish mbledhur rreth 100 milionë USD energji që vidhet, do të dilte me fitim dhe pra nuk do të kish fare nevojë që çmimi i energjisë të rritej. Më me fitim do të dilte OSSH edhe nëse investimet qindra milionëshe për pakësimin e humbjeve teknike në rrjetet e shpërndarjes do të ishin bërë si duhet. Por meqë për vite me radhë të tilla gjëra janë shfaqur si të pamundura, OSSH ka vendosur të llogarisë si "zë" në koston e prodhimit të energjisë edhe koeficientin e lartë të vjedhjes, edhe humbjet teknike, në vend që t‘i përvishet punës për reduktimin e tyre. Qeveria, OSSH dhe ERE po penalizojnë, po viktimizojnë kolektivisht të gjithë ata konsumatorë, duke i detyruar ta paguajnë korrektësinë e tyre më shtrenjtë. Shto edhe mungesa e transparencës dhe arbitrariteti i përmuajshëm në faturimin e energjisë, pa i ballafaquar me matësit që mbahen të mbyllur me kyç nga OSSH. Askund në botë konsumatori nuk mund të detyrohet të paguajë pa ia faktuar detyrimin me anë të matësve. Pra, duke filluar nga janari i vitit që vjen, shqiptarët do të detyrohen të paguajnë më shumë jo vetëm për shkak të vjedhjes së energjisë, por edhe për shkak të paaftësisë së institucioneve dhe shtetit të tyre për të luftuar vjedhjen e energjisë. Një situatë që, në vend të nxisë pagimin, legalizon vjedhjen e energjisë, ashtu sikundër u legalizua edhe grabitja e trojeve. Paguaje që ta KESH energjinë - i bënte thirrje dikur qytetarëve ZMQ. Por sot, për fat të keq, shumë konsumatorë të ndershëm të këtij shteti të pandershëm po e kuptojnë se po e pagove energjinë, shkon për... KESH!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›